Image 1 title

type your text for first image here

Image 1 title

Image 2 title

type your text for second image here

Image 2 title

Image 3 title

type your text for third image here

Image 3 title

Image 4 title

type your text for 4th image here

Image 4 title

Image 5 title

type your text for 5th image here

Image 5 title

Image 6 title

type your text for 6th image here

Image 6 title

Image 7 title

type your text for 7th image here

Image 7 title

Image 8 title

type your text for 8th image here

Image 8 title

Image 9 title

type your text for 9th image here

Image 9 title

Image 10 title

type your text for 10th image here

Image 10 title

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

 «Shpallet konkursi për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, botuar në periudhën 1991-2019»

Akademia e Shkencave në kuadër të përkujtimit të 75-vjetorit të antifashizmit në Shqipëri, përmes vendimit përkatës të datës 24 korrik 2019 vendosi shpalljen e «Konkursit retrospektiv për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, botuar në periudhën 1991-2019 ».

Çmimet që akordohen në përfundim të këtij konkursi janë:

- Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë vendës;

- Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë të huaj;

- Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga studiues të rinj.

 

Të drejtën e propozimit të veprave për konkurrim e kanë: institucionet akademike-universitare, botuesit dhe vetë autorët.

Për organizmin e këtij konkursi pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri ndërkombëtare e specializuar, me studiues vendës e të huaj. Kjo juri ngarkohet që, në mënyrë autonome, të bëjë përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen e tre fituesve, sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij vendimi.


Pranimi i veprave konkurruese mbyllet më datën 30 shtator 2019 duke depozituar në zyrën e protokollit të Akademisë së Shkencave: kërkesën për pjesëmarrje në konkurs, 2 kopje të botuara të veprës, deklaratën e origjinalitetit të punimit të paraqitur, CV-në e autorit dhe listën e punimeve. Nominimi i të përzgjedhurve shpallet nga juria jo më vonë se data 20 tetor 2019. Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet më 13-16 nëntor, në kuadër të konferencës shkencore akademike Antifashizmi popullor i shqiptarëve.


Ndarja e diplomave të nderit dhe e shenjës së fituesit të konkursit bëhet me një ceremoni publike. Për secilin nga fituesit Akademia e Shkencave akordon një shpërblim në masën 300.000 lekë.


Akademia e Shkencave e Shqipërisë

 

 


 

Klikoni për të lexuar: Vendim nr 14 datë 24.07.2019 "Për shpalljen e konkursit retrospektiv për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, botuar në periudhën 1991-2019"

Njoftim i Këshillit të Botimeve të Akademisë së Shkencave

 

Te nderuar akademikë! 

Të nderuar studiues shkencorë!


Mbështetur në "Rregulloren mbi kriteret për botim në Akademinë e Shkencave të RSh”, për të promovuar veprat e vërteta shkencore, Akademia e e Shkencave shpall nisjen e procesit të aplikimit për botimet shkencore 2018.


Njoftohet bashkësia shkencore brenda e jashtē vendit për të marrë pjesë në këtë proces konkurrues, duke respektuar kriteret e pëcaktuara për botimet shkencore sipas rregullores së mëposhtme.. Autorët duhet të kryejnë dorëzimin ie dorëshkrimeve pranë ASh-së.


Dosja e një botimi shkencor duhet të përmbajë këto dokumente, të cilat paraqiten në fillim të vitit:


• Kërkesën drejtuar Këshillit të Botimeve;

• Studimin shkencor në format PDF;

• 2 Recensa nga autoritete shkencore: njëri nga recensionuesit duhet të jetë anëtar i Akademisë;

• Deklaratën personale që vërteton se punimi është origjinal;

Në momentin e dorëzimit, autorët duhet të konfirmojnë me shkrim që studimi ose ndonjë studim i ngjashëm, nuk është duke u shqyrtuar ose nuk është pranuar diku tjetër. Nëse një kopje e dorëshkrimit është dorëzuar edhe diku tjetër, autorët duhet të dorëzojnë një kopje të tij, bashkëngjitur me dorëshkrimin e paraqitur në ASh. Oponentëve do t’u kërkohet të komentojnë, nëse ka mbivendosje mes aplikimeve të ngjashme.


Këshilli i Botimeve i Akademisë së Shkencave

 

Tiranë, më 11.12.2017

 

Lexoni rregulloren e botimeve

Thirrje për pjesëmarrje në Konferencë shkencore ndërkombëtare

 

Thirrje për pjesëmarrje


Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan


Konferencë shkencore ndërkombëtare
(Në 250-vjetorin e lulëzimit të Voskopojës: 1767-2017)


Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon konferencën shkencore ndërkombëtare Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan, (1767-2017), e cila parashihet të mbahet në gjysmën e parë të muajit nëntor 2017. Do të ftohen të bashkëpunojnë edhe institucione e studiues nga Austria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Polonia, Serbia, Zvicra, Italia, Franca etj.
Në vitin 1767, pas një krize të hierarkisë kishtare, patrikana e Ohrit, nën sufraganitetin e së cilës ishin dhe Voskopoja, Vithkuqi e Korça, e humbi statusin e vet historik, që e trashëgonte qysh nga fillimi i shekullit XI dhe u rikthye nën vartësinë e patrikanës-mëmë të Konstantinopojës.
Dy vjet pas suprimimit të statusit si patrikanë, trashëguar qysh prej Justiniana Prima-s, Voskopoja u dogj për herë të parë. Shkatërrimet dhe djegiet nuk iu ndanë Voskopojës deri në gjysmën e parë të shek. XX. Bashkë me qytetin u dogjën e u shkatërruan kisha e manastire, biblioteka dhe dorëshkrime, ikona dhe ikonostasë. Popullsia e vendit u shpërngul e u shpërnda nëpër Ballkan e Europë dhe vetë Voskopoja u shndërrua nga qendër urbane që kishte të njëjtat zhvillime mendore e lëndore si Europa e le siècle des lumières, në një vendbanim modest.
Statusi i patrikanës, përjashtimi prej sistemit fiskal otoman dhe një lidhje e drejtpërdrejtë e kishës së Voskopojës me Haverin e Madh të Jeruzalemit, ishin tre faktorë të jashtëm që nxitën zhvillimin e qytetit.
Përbërja hetero-kombëtare, hetero-gjuhësore dhe hetero-fetare; struktura demografike dhe lidhjet e shumëfishta me kulturat e mëdha të kohës, janë vetëm disa prej faktorëve të brendshëm të këtij lulëzimi.
Konferenca do të ketë për qëllim të ndriçojë fenomenin e Voskopojës në dritën e koncepteve bashkëkohore të eurokulturës dhe të receptimit empatik të tjetrit. Ajo do të orientohet në këto tema kuadër:

  1. Faktorë zhvillimorë historikë dhe kulturorë, të brendshëm dhe të jashtëm me ndikim në lulëzimin e Voskopojës; 

  2. Dorëshkrimet e Voskopojës: tradita dhe gjendja e tyre sot (Kodiku i Manastirit të Shën Prodhromit, Codex Dimonie);

  3. Voskopoja dhe zhvillimi i alfabeteve në popujt e Ballkanit (Teodor Kavalioti, Teodor Haxhifilipi, abetarja e Mihail Boiagi); 

  4. Voskopoja dhe shekulli i iluminizmit gjuhësor në Ballkan;

  5. Voskopoja dhe rregullimi qytetar i jetës: kodikët e mjeshtërive (esnafët); 

  6. Shekulli i akademisë, tipografisë, fjalorëve dhe gramatikave; 

  7. Gjuhët e Ballkanit përballë njëra-tjetrës. Rreth raporteve lingua franca - lingua vernacula në Voskopojën e shek. XVIII; 

  8. Statusi kishtar i Voskopojës nën patrikanën e Ohrit dhe më pas: rrjedhimet shoqërore-kulturore; 

  9. Voskopojarët pas djegies së Voskopojës, prania e tyre kulturore në Austri, Hungari, Kroaci, Rumani (rasti i piktorit dekorator Teodor Grunde / Grundovich);

  10. Voskopojarët në Manastir dhe në qytete të tjera; 

  11. Voskopoja si model bashkëkohor zhvillimi transnacional dhe transgjuhësor; 

  12. Iluminizmi gjuhësor i Voskopojës dhe ideologjitë kombëtare të popujve të Ballkanit; 

  13. Bajronizmi, idetë filozofike të Leibniz-it për gjuhët popullore dhe zhvillimet në Voskopojë; 

  14. Voskopoja, Janina (Zosimea) dhe qendra të tjera të iluminizmit në Ballkan; 

  15. Vështrime krahasuese tejshkrimeve (transkriptimeve) të burimeve arkivore të Voskopojës nga një kohë në tjetrën. 

 

Koha e mbajtjes së konferencës është parashikuar për në gjysmën e parë të muajit nëntor 2017, një ditë në Tiranë dhe një ditë në Voskopojë.
Komiteti shkencor organizator i konferencës mirëpret propozimet e të interesuarve sipas këtij kalendari:

  1. Dërgimi i titullit të kumtesës me një abstrakt jo më pak se 250 fjalë; preferohet në gjuhën angleze ose në gjuhën shqipe, deri më 15 maj 2017. 
  2. Komiteti shkencor organizator do të vendosë për pranimin e tyre deri më 30 qershor 2017. Regjistrimi do të jetë pa pagesë. 
  3. Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbulon koston për lëvizjet e brendshme në Shqipëri, vizitat në vende muzeale-historike, pjesëmarrjen në veprimtari kulturore dhe artistike.
  4. Komunikimi me komitetin shkencor organizator do të realizohet përmes sekretarisë, në adresën elektronike This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.; This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.; This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. 

 

Komiteti shkencor organizator i konferencës
Akad. Floresha Dado
Kryetare e Seksionit të Shkencave
Shoqërore e Albanologjike

16 maj 2018 - Forum i hapur shkencor


Drita është jetësore për njerëzimin. Nëpërmjet fotosintezës, drita është në origjinën e vetë jetës. Studimi i dritës ka sjellë burime alternative premtuese energjie, përparime mjekësore të shpëtimit në teknologjinë dhe trajtimet diagnostike, internet me shpejtësi të lartë dhe shumë zbulime të tjera që kanë revolucionarizuar shoqërinë dhe kanë ndikuar në kuptimin tonë të universit. Këto teknologji u zhvilluan përgjatë shekujsh të studimeve themelore mbi vetitë e dritës - duke filluar punimin themelor të Ibn Al-Haytham, Kitab al-Manazir (Libri i Optikës), i botuar në 1015 dhe duke përfshirë punën e Ajnshtajnit në fillim të shekullit të 20-të, ndryshoi mënyrën se si mendojmë për kohën dhe dritën.


Dita Ndërkombëtare e Dritës feston rolin e dritës në shkencë, kulturë dhe art, arsim dhe zhvillim të qëndrueshëm, dhe në fusha të ndryshme si mjekësia, komunikimet dhe energjia. Kjo Ditë do të mundësojë sektorë të ndryshëm të shoqërisë në mbarë botën të marrin pjesë në aktivitete që tregojnë se si shkenca, teknologjia, arti dhe kultura mund të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të UNESCO-s - duke ndërtuar themelet për shoqëritë paqësore.


Dita Ndërkombëtare e Dritës festohet në 16 maj të çdo viti, përvjetori i operacionit të parë të suksesshëm të lazerit në vitin 1960 nga fizikani dhe inxhinieri Theodore Maiman. Kjo ditë është një thirrje ndaj shoqërisë për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të shfrytëzuar potencialin e saj në nxitjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.


Në këtë Ditë të Parë Ndërkombëtare të Dritës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi një forum të hapur shkencor. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e “Librit Akademik” dhe në të morën pjesë, specialistë të fushave të ndryshme, studentë të degëve të ndyshme të shkencave natyore si dhe nxënës nga shkollat e mesme dhe atë profesionale “Harry Fultz”. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, akad. prof.dr.Salvatore Bushati, i cili foli mbi qëllimin e zhvillimit të kësaj veprimtarie dhe theksoi rolin e madh të Dritës në shkencë.


Kumtuesit e ftuar në këtë veprimtari ishin pedagogë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. I pari e mori fjalën prof.dr. Artan Boriçi, i cili foli mbi efektin Dopler dhe rëndësinë e tij në studime të ndryshme. Nëpërmjet mjeteve audiovizive, prof. Boriçi e bëri shumë të këndshëm dhe të kuptueshëm shpjegimin e kësaj dukurie.


Në këtë forum gjithashtu kumtoi dhe prof. asoc. dr. Valbona Sota, duke shpjeguar në një mënyrë shumë të bukur dhe të thjeshtëzuar fotosintezën dhe rolin e saj në zhvillimin e jesës së gjallë në planetin tonë. Shumë të goditura ishin shprehjet e personaliteteve nga fusha të ndryshme mbi fotosintezën.


Gjithashtu në këtë ditë, astrofizikanja prof. dr. Mimoza Hafizi postoi një prezantim ne faqen e Akademisë me titull: “Dritat e Universit në Ditën Nderkombëtare të Dritës”.

Lexoni prezantimin “Dritat e Universit në Ditën Nderkombëtare të Dritës”

Për konferencën kushtuar 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë:

Për konferencën kushtuar 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë më 15 nëntor 2019 një konferencë shkencore mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare kushtuar rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo konferencë organizohet në nderim 75-vjetorit të fitores antifashiste, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.


Bashkë me konferencën, në muajin nëntor 2019 do të shpallen fituesit e veprës shkencore më cilësore nga autorë vendës dhe të huaj, si dhe nga kërkues të rinj, botuar në periudhën 1991-2019. Dy vepra të reja, prej autorësh të rëndësisë parësore, me burime të misionarëve aleate në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, do të botohen dhe do të përurohen në një kalendar të përbashkët me konferencën e konkursin.


Kjo është konferenca e parë që Akademia e Shkencave organizon me thirrje të hapur dhe është pozitive që kjo thirrje ka zgjuar interes publik në shtyp dhe në media dhe në mjediset shkencore.


Siç është në traditën e veprimtarive të tilla, që Akademia e Shkencave i ka organizuar edhe në kohët më të vështira, konferenca, konkursi dhe botimet kanë për qëllim, siç thuhet edhe në shpalljen publike, nderimin e traditave të antifashizmit në Shqipëri në të gjitha format e shprehjes së tyre. Për fat të keq, ky qëllim i padyshimtë i Akademisë së Shkencave është mjegulluar e deformuar nga një pjesë e kontribuuesve në debat. Akademia e Shkencave mirëkupton shqetësimin e atyre që, me të drejtë, mund të jenë keqkuptuar për shkak të shkurtësisë së tekstit tonë lidhur me konferencën kushtuar 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.


Ne bëjmë dallimin midis tyre dhe personave që, në mënyrë të qëllimshme, kanë përdorur njoftimin tonë për të ndërmarrë sulme dashakeqëse ndaj Akademisë së Shkencave.


Në respekt të të vërtetave dhe e shqetësuar prej zellit entuziast dhe deri në një shkallë edhe të pakuptimtë për të fabrikuar probleme që nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë, e ndiejmë të nevojshme të rishprehim qendrimin tonë të paekuivok për rëndësinë madhore historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si lufta që për herë të parë në histori i renditi shqiptarët në krahun e fitores botërore.


Në të njëjtën kohë, Akademia e Shkencave i është përmbajtur dhe i përmbahet mendimit që ngjarje të tilla jubilare, si 75-vjetori i fitores antifashiste, përveç evokimit të lavdisë së kësaj fitorje dhe aspekteve përkujtimore, mund dhe duhet të shërbejnë si shkas për nxitjen e mendimit shkencor, përmes një rrafshi tematik orientues, për ndriçimin e vlerave të antifashizmit në Shqipëri, si lëvizje rezistence, si qendresë kundër pushtuesve, si lëvizje mendimi dhe si përballje kombëtare e popullore me ushtritë pushtuese. Konferenca të tilla shkencore ndërkombëtare nuk janë mbrëmje jubilare, festive, por diskutim midis historianëve specialistë të periudhës. Antifashizmi në Shqipëri dhe tek shqiptarët ka qenë një dukuri historike kombëtare dhe popullore. Programi orientues i problematikës së konferencës, konkursit dhe botimeve jo vetëm që nuk ka për qëllim lënien mënjanë të rezistencës së organizuar antifashiste, jo vetëm që nuk e largon vëmendjen prej lavdisë historike të ushtrisë së rregullt partizane, por u vjen në ndihmë studiuesve për të bërë kërkime edhe për çështje që për një arsye a një tjetër janë studiuar pak ose aspak. Një konferencë shkencore me karakter mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar mund dhe duhet t’ia dalë të shtrojë edhe çështje të reja, pa fanatizëm dhe pa ngurtësi, për koston njerëzore dhe materiale që ka paguar populli dhe kombi shqiptar, me dhe pa uniformë, atje ku e zuri ora e luftës për lirinë e vet dhe fitoren botërore antifashiste. Studimet e sotme historiografike europiane, studime që njohën një hapje të dukshme me përfundimin e luftës së ftohtë, janë të prirura ta zgjerojnë kuptimin e antifashizmit, dhe kjo vetëm e lartëson epokën dhe protagonistët e saj. Qysh në Konferencën e Paqes (1946) dhe në vijimësi me të drejtë shteti shqiptar ka insistuar për të bërë të ditur bazën e gjerë të mbështetjes popullore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe kjo bazë e gjerë është antifashizmi i popullit shqiptar, pa të cilin fitorja e saj do të kishte qenë e pamundur. Është ai antifashizëm që kërkoi me urtësi Konferenca e Pezës, për një bashkim popullor pa dallim feje, krahine dhe ideje, për një rezistencë popullore që ngrihej mbi ideologjitë dhe dallimet e tjera. Antifashizmi popullor nuk ka pse të shqetësojë askënd. Përkundrazi, historia e popullit shqiptar duhet të provojë e riprovojë jo vetëm rëndësinë e rreshtimit të tij në krahun e aleancës më të përparuar botërore, por edhe pësimet e rënda që kanë njohur ekonomia dhe resurset e vendit, grabitjet, krimet, djegiet dhe shkatërrimet, që jo vetëm ndërprenë zhvillimin e vendit, por e varfëruan popullin dhe shtetin.


Debatet e ditëve të fundme kanë krijuar shqetësime fiktive në opinion, duke shtrembëruar të vërtetat deri në thelbin e tyre. Në asnjë prej temave orientuese të thirrjes publike për kontribut, që do të verifikohen prej historianëve të periudhës në një proces shkencorizimi – dhe kjo është epërsia e konferencave me thirrje të hapur - nuk është lënë as të kuptohet, as të nënkuptohet, që Akademia e Shkencave ka për qëllim të vërë në diskutim emrin e luftës antifashiste të popullit shqiptar, të harrojë apo të mënjanojë qendresën historike partizane, të vërë në diskutim dëshmorët e veprën e tyre, të rehabilitojë kolaboracionizmin apo të errësojë lavdinë e epokës. Këto janë dëshira të sëmura dhe paragjykime të qëllimshme. Ato paraqiten në media dhe opinione për të dëmtuar, siç kanë dëmtuar vijimisht prej disa vitesh, emrin dhe imazhin e Akademisë së Shkencave. Ato janë gjykime njerëzish që nuk shqetësohen aspak për luftën, por fërkojnë duart që gjetën “lajthitje” në një thirrje publike të Akademisë së Shkencave, sepse, siç e pohojnë edhe vetë, Akademinë e Shkencave e duan të zhdukur, të çrrënjosur. Por Akademia e Shkencave tashmë është në një proces të pakthyeshëm reformimi dhe dëshirat e sëmura të njërit apo tjetrit nuk mund të bëhen pengesë për ecjen e saj përpara. Ata kanë aq shumë dhimbje hipokrite pse “Akademia e Shkencave e ka braktisur luftën”, sa bëjnë sikur duan të mbrojnë antifashizmin e popullit shqiptar me qëllim që të shfaqen sa më ndikues në opinion pse Akademia e Shkencave nuk duhet të ekzistojë.


Komisioni organizues i konferencës, në përmbushje të funksioneve të veta, së shpejti do zhvillojë konsultime konkrete për problematikat e konferencës. Le të presim me durim nëntorin. Studiuesit do të jenë kontribuues për plotësime, saktësime dhe thellime në konceptin e konferencës. Atyre u takon ta bëjnë këtë dhe me siguri do ta bëjnë jo duke fabrikuar alarme të rremë dhe çështje të paqena, por me urtësinë dhe modestinë që i cilëson. Konferenca do të jetë prova se çfarë don, di dhe do të bëjë Akademia e Shkencave për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe atëherë do të kuptohet mirë e qartë se kush duhet të kërkojë ndjesë publike.


Akademia e Shkencave e Shqipërisë


Tiranë, 5 gusht 2019

 

 


 

Foto: "PERMENDORJA E LUFTES NE MUSHQETA", vepër e "Skulptorit të Popullit" Hektor Dule, realizuar në vitin 1968, vendosur në fshatin Bërshitë anës rrugës kombëtare.

Publikohet me lejen e autorit.