Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen, themelues dhe epinom i kardiokirurgjisë shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon akad. Petrit Gaçen

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Zgjidhet kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike

Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Ngrihet pranë Akademisë së Shkencave Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike

Forumi i dytë

Akademia e Shkencave ka mbajtur sot forumin e tretë shkencor "Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”

Forumi i dytë

Njesia kerkimore e Bioteknologjise dhe Gjenetikes

Krijohet pranë Akademisë së Shkencave Njësia kërkimore e përkohshme e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës

Njesia kerkimore e Bioteknologjise dhe Gjenetikes

Konferenca e shumëgjuhësisë/Shkup 2020

Në Shkup të Maqedonisë u mbajt Konferenca triditore kushtuar dygjuhësisë, tregjuhësisë, shumëgjuhësisë

Konferenca e shumëgjuhësisë/Shkup 2020

Çelet Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji

Personalitete të shkencës dhe politikës shqiptare dhe asaj botërore përshëndesin veprimtarinë më të madhe shkencore që mbahet këto ditë në Tiranë

Çelet Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji

 

REAGIMI SHKENCOR KUNDER COVID19

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike miraton kandidaturat për titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” të ASH-së

Kryetari i Akademisë së Shkencave çel Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike. Fjala në seancën e hapjes.

 

Akad. Skënder Gjinushi: “Ky është një kuvend ndërkombëtar studimesh albanologjike jo thjesht në kuptimin e gjeografisë, por para së gjithash referuar kërkesave dhe standardeve mbi të cilat është përgatitur dhe karakterit gjithëpërfshirës të tij.

 ***

 

 

E nderuar znj. Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë;

E nderuar znj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit;

Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare në Shqipëri;

I nderuar akad. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;

I nderuar prof. Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës;

Të nderuar rektorë dhe drejtues të institucioneve universitare dhe të qendrave të tjera kërkimore bashkorganizuese të Kuvendit Ndërkom-bëtar të Studimeve Albanologjike;

Të dashur miq e kolegë, studiues të botës shqiptare, personalitete të albanologjisë, të pranishëm në këtë sallë dhe të bashkuar me ne online;

 

Ju uroj mirëseardhjen në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike.

 

Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të institucioneve bashkorganizuese ju shpreh falënderimet tona të thella për pjesëmarrjen tuaj.

 

Në mënyrë të veçantë falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur nga larg, nga të katër anët e globit: nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia; nga Britania e Madhe, Polonia e Rumania; nga Austria, Spanja, Franca, Gjermania e Italia; si dhe nga vendet fqinje, duke dëshmuar jo vetëm dedikimin e tyre të thellë ndaj gjuhës, historisë, identitetit dhe qytetërimit shqiptar; por edhe ndjenjat e empatisë ndaj popullit që i ka trashëguar e bartur ndër shekuj e mijëvjeçarë këto vlera.

 

Ky është një kuvend ndërkombëtar studimesh albanologjike jo thjesht në kuptimin e gjeografisë, por para së gjithash referuar kërkesave dhe standardeve mbi të cilat është përgatitur dhe karakterit gjithë-përfshirës të tij. E konsiderojmë një nga arritjet më të rëndësishme të këtij kuvendi që në të janë të përfshira e të përfaqësuara të gjitha shkollat, qendrat dhe njësitë e studimeve albanologjike, të cilat, gjatë dekadave të fundme, janë fuqizuar e shumëfishuar, që nga Australia, Kina e Japonia deri në vendet tona të afërme.

 

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike është për ne ngjarja më e rëndësishme shkencore. Kanë kaluar dekada nga koha kur new Tiranë janë organizuar evente të ngjashme me të. Gjatë kësaj periudhe, studimet në këtë fushë, kanë ndjerë, për mirë e ndonjëherë edhe për keq, peshën e ndryshimeve historike që përfshinë Botën në tërësi, në mënyrë të veçantë vendet ish-komuniste. Hapja dhe liria e fituar mundësoi ndarjen nga trajtimet skematike e të ideologjizuara. Ajo hapi rrugën që studiuesit shqiptarë të qëmtojnë lirisht arkivat, bibliotekat dhe qendrat kërkimore-shkencore jashtë.

 

Përgjatë këtyre dekadave janë organizuar disa konferenca tematike me rëndësi kushtuar etnogjenezës së shqiptarëve, historisë së shqipes dhe burimit të lashtë të saj; traditave të trashëgimisë albanistike në rajone të ndryshme të Botës referuar kufirit gjuhësor; qendresës mesjetare arbërore dhe rolit historik të Gjergj Kastriotit si një nga protagonistët e shquar të shekujve të Renesancës Europiane; eposit heroik legjendar; zbulimeve të reja të kulturës materiale; qytetërimit parashqiptar dhe shqiptar; evolucionit të shkallëshkallshëm nga popullsi në bashkësi dhe në vetëdije kombëtare; çështjeve të identifikimit dhe të vetidentifikimit të shqiptarëve prej kohërave më të hershme deri sot. Të gjitha këto ngjarje kanë qenë stacione në të cilat dija shqiptare është ndalur dhe ka bërë bilancet e veta.

 

Gjatë afro një gjysmë shekulli albanologjia ka njohur ndryshime sasiore e cilësore. Rëndësia e saj është rritur bashkë me rritjen e rëndësisë së shkencave të lidhura me të, si helenistika, romanistika, sllavistika e orientalistika. Albanologjia është me fat që përfaqëson interes shkencor jo vetëm për vete, por edhe si një çelës për të depërtuar në sekrete të këtyre dijeve të afërta, si një shkencë me rëndësi si në rrafshin ballkanik, dhe në atë indoeuropian.

 

Jashtë çdo dyshimi, rëndësinë e albanologjisë, sikurse rëndësinë e çdo shkence të ngjashme me të në vendet tona në rajon, e kanë rritur edhe proceset tashmë të definuara qartë të integrimit të shqiptarëve në një botë më të madhe, procese të cilat kërkojnë edhe ekspertizën shkencore të dijetarëve albanologë.

 

Arkeologjia:

Në kërkimet arkeologjike, në vazhdim të traditës dhe të arritjeve të mëhershme, të krijuar nga një gjeneratë e shquar arkeologësh si katër manjifikët Ceka, Islami, Prendi e Anamali, vijues të suksesshëm të veprës së arkeologëve të huaj, janë realizuar punë e projekte frytdhënëse. Kërkime të shumta janë bërë nga arkeologë shqiptarë e italianë, francezë, gjermanë, grekë, britanikë e polakë, kroatë, hebrenj e austriakë e amerikanë. Të një rëndësie parësore janë zbulimet e reja në Butrint, Apoloni e Bylis. Me vlerë të veçantë janë kërkimet në luginën e Drinos, që kanë hedhur dritë mbi fazat e zhvillimit urban në Hadrianopol, Antigonè e Paleokastër. Gjetjet arkeologjike në Koman e në Kosovë kanë rëndësi për vërtetimin e thelluar të vazhdimësisë iliro-shqiptare në një hapësirë të gjerë, finalizuar me hartimin e së parës hartë arkeologjike të Kosovës. Rezultatet e arritjeve në arkeologji janë pasqyruar në një sërë botimesh, si dhe në revistat Iliria, Candàvia e Studia Albanica; në shumë monografi e përmbledhje studimesh dhe në mjaft vepra themelore në arkeologji.

 

Në dritë të këtyre zbulimeve, tashmë ekziston një rrjet i tërë i siteve arkeologjike të vendbanimeve ilire e protoilire për çdo periudhë të parahistorisë dhe të historisë, që prej epokës paleolitike të gurit deri tek zhvillimet paraurbane e urbane në qytetërimin ilir. Me rezultatet e kërkimeve të arkeologëve vendës e të huaj sot është krijuar një bibliotekë botimesh arkeologjike dhe nje galeri e tërë artefaktesh për kulturën dhe qytetërimin, prej antikitetit deri në Mesjetë.

 

Thellimi i kërkimeve në thellësi e në gjerësi, veçmas në prapatokë, ka mundësuar të dalë më në pah prania e iliricitetit në vendbanimet më të hershme; si dhe të krahasohen e veçohen ndikimet e dallimet me qytetërimet e tjera, për të njohur e dëshmuar më mirë tipologjinë e kulturave të mëparshme proto-ilire e parailire, ndërveprimin midis tyre e me kultura e civilizime indoeuropiane e paraindoeuropiane, në hapësirat ballkanike, adriatike e mesdhetare.

 

Studimet historike:

Në fushën e studimeve historike, me mundësitë e krijuara nga zgjerimi i burimeve arkivore, janë realizuar një sërë studimesh e botimesh me vlerë në Tiranë e në Prishtinë, mbi bazën e dokumenteve të reja të zbuluara në arkivat e Romës, Venedikut, Raguzës, Vjenës e Ankarasë. Studiues të nderuar, nga vendi e Bota, pasuruan fondin e dëshmive të historisë shqiptare përgjatë dymijë vjetëve.

 

Falë kësaj baze më të plotë dokumentare e duke shfrytëzuar edhe të dhënat e arkeologjisë e të gjuhësisë; mbështetur në arritjet e historianëve të mirënjohur si Aleks Buda, Injac Zamputi, Arben Puto, Dhimitër S. Shuteriqi e Kristo Frashëri; është hedhur dritë e re për Mesjetën e hershme të arbërve; për organizimin shoqëror dhe proceset shtetformuese ndër shqiptarë; për vendin dhe rolin e tyre në kuadrin e perandorive të kohës, të vjetra e të reja: në kuadër të Bizantit, të Romës e të perandorisë otomane; për lidhjet dhe raportet me mbretëritë europiane të atyre shekujve: me Aragonët, anzhuinët, Napolin dhe Venetikun; për kohën dhe rrethanat e themelimit të shtetit të Arbnit.

 

Rezultatet e kërkimeve të thelluara mbi historinë e shqiptarëve janë bërë objekt tubimesh shkencore ndërkombëtare në Tiranë e Prishtinë; në Vjenë; në Romë, Kozencë, Palermo e Napoli; në Nju Jork; në Mynih e Berlin; në Paris, Madrid e Budapest; në Athinë, Varshavë e Shkup; në Sankt Petersburg, Zagreb e Ljubljanë dhe gjetkë.

 

Studimet gjuhësore:

Përparimet e gjuhësisë indoeuropiane gjatë kësaj periudhe janë pasqyruar edhe në fushë të shqipes. Në vazhdim e thellim të tezave që përbëjnë themelet e studimeve të albanologëve tanë, si Eqrem Çabej e Idriz Ajeti; Shaban Demiraj, Selman Riza, Besim Bokshi, Mahir Domi; që e vendosin shqipen si gjuhë me lidhje zanafillëse me burimin e familjes së gjuhëve indoeuropiane, si një gjuhë e vjetër vijuese e ilirishtes; hulumtimet kanë vazhduar me sukses me zbatimin e teorive bashkëkohore në rindërtimin e paraformave protoshqipe. Risi janë shënuar edhe në studimet e fonetikës dhe gramatikës historike të shqipes, në fjalëformimin e shqipes së vjetër, të historisë së dialekteve kryesore të saj, në vendin e shqipes në lidhjen gjuhësore ballkanike etj.

 

Në studimet leksikografike e dialektologjike ka një progres që nuk mund të imagjinohej pa teknologjinë bashkëkohore të informacionit. Korpusi leksikor i arbërishtes së folur e të shkruar, korpuse të tjera të shqipes që arrijnë deri në dhjetëra milionë njësi, e kanë ndryshuar jo vetëm numerikisht, por edhe cilësisht, gjendjen e fjalës shqipe, duke dhënë mundësi statistikimi jo vetëm për dendurinë e përdorimit të saj, por dhe për konkurrencën e formave në përdorim; shoqëruar edhe me studime nga këndvështrime të reja mbi historinë e krijimit të strukturës dialektore të shqipes, duke krijuar premisat edhe për hartimin e një atlasi sintaksor të dialekteve të shqipes.

 

Në fushën e leksikologjisë sinkronike arritje ka në fushën e hartimit të fjalorëve një- dhe dygjuhësh, cikël i cili do të plotësohet edhe me një fjalor të tipit të madh, me rreth 100 mijë fjalë.

 

Në vitet e fundit janë hedhur hapa në drejtim të studimit të të ashtuquajturave “shkenca të ligjërimit”. Filologjia e teksteve shqipe, që pati njohur studiues senjorë si Eqrem Çabej e Martin Camaj, është fushë tjetër që ka njohur një zhvillim të rëndësishëm sasior e cilësor. Brenda një periudhe tridhjetëvjeçare, me një punë voluminoze intensive, është mbuluar me botime kritike filologjike thuajse e gjithë letërsia e vjetër shqipe dhe trashëgimi klasik i letërsisë arbëreshe. Në studimet gjuhësore nuk ka më kufizime metodologjike për qasjet moderne, si gjuhësia gjenerativiste, antropogjuhësia e sociogjuhësia.

 

Avantazhet e antropologjisë sociale dhe kulturore si një dije e re që u parapri nga personalitete të tillë si Anton Çetta, Andromaqi Gjergji e Rrok Zojzi, jo vetëm nga pikëpamja e metodologjisë dhe e bazës teorike, por dhe për nga karakteri ndërdisiplinar, tashmë janë të provuara. Rezultate të shenjuara janë dëshmuar në verifikimin e ripërcaktimin e përbërëseve themelore të identitetit, duke spikatur rolin e gjuhës si faktor themelor konvergjence kundrejt çdo dallimi. Pranimi i ndërveprimit të faktorëve gjenetikë dhe të atyre historikë në formimin e identitetit është një proces i ri në kahjen pozitive.

 

Në kohën e sotme albanologjisë i janë afruar e shtuar në mbështetje dije tradicionalisht të konsideruara larg saj, si etnoflora e etnofauna, etnobotanika e etnobimësia, antropogjenetika dhe antropomjekësia. Ato do të jenë kontribuuese edhe në këtë kuvend.

 

Ne u përqendruam kryesisht në disa prej prirjeve më të rëndësishme që janë specifike për kohët e reja në albanologji, duke vlerësuar se këto pohime nuk kushtëzojnë mendimin e askujt, nuk kanë vlerën as të ndonjë orientimi a kornize shkencore, thjesht janë shprehje përgjegjësie për të informuar njëri-tjetrin.

 

Më lejoni që, në mbyllje të kësaj fjale, në emër të Akademisë së Shkencave, të institucioneve tona të studimeve shqiptare, t’u drejtojmë homazhet tona të veçanta albanologëve të shquar që i themeluan si dije me objekt e metodë shkencore studimet shqiptare; disa breznive albanologësh mendjendritur, që gjatë një shekulli i kanë ndriçuar studimet albanologjike me kontributet e tyre, si dhe të shprehim kënaqësinë që albanologjia e sotme ka një gjeneratë të re studiuesish të ditur, që e kanë lidhur jetën e tyre me gjuhën, historinë dhe qytetërimin shqiptar dhe që ne u jemi mirënjohës për këtë dedikim të tyre.

 

Gjysmë shekulli më parë gjuhëtari Eqrem Çabej pohonte se arritja më e madhe e albanologjisë ishte që tashmë ajo erdhi në shtëpinë e vet.

 

Ju uroj punime të suksesshme, qëndrim të mbarë në shtëpinë tuaj.

Faleminderit për vëmendjen, punë të mbarë kuvendit!