Promovohet libri "Barazia dhe drejtësia gjinore" e akademikes Aurela Anastasi, nga pllakatizmi e deklarativizmi në shkencë
- Details
- Hits: 370
"Barazia dhe drejtësia gjinore" e akad. Aurela Anastasit, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është vlerësuar si një udhëtim shkencor nëpër procesin e ndërlikuar të ligjbërjes në mbrojtje të barazisë gjinore, kundër diskriminimit.
***
Promovimi u mbajt në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe u moderua nga akad. Vasil Tole.
Akad. Tole tha se “libri që së bashku promovojmë, nuk vjen thjesht si një akumulim dijesh akademike të fushës apo si produkt i shpejtë rrethanash intelektuale që e nxitën shkrimin e tij. Përkundrazi, siç e pohon vetë autorja, libri u shkrua ndër vite përgjatë aksioneve praktike dhe publike që ajo vetë ka marrë pjesë në lidhje me barazinë gjinore, diskriminimin apo dhunën në familje; çështje që i ka prekur në terren, si gjatë përfaqësimit në gjykatë të personave në nevojë apo në angazhimet intelektuale për hartimin e legjislacionit të ri për to, etj. “
Akademik Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, tha se “Barazia dhe drejtësia gjinore” është një vepër e shkruar në rrjedhë të viteve, pjesë e një paradigme shqetësimesh shkencore dhe profesionale me të cilën akad. Aurela Anastasi jeton si qenie intelektuale.
Çështjet që trajtohen në katër nënndarjet e librit kanë të bëjnë me një problematikë relativisht të re të jurisprudencës si shkencë, legjislacion dhe drejtësi gjyqësore, jo vetëm në Shqipëri, por përgjithësisht në demokracitë e reja të Europës. Kjo është koha kur kalohet prej garantimit deklarativ të barazisë gjinore në ligj dhe në gjyq te rregullimi juridik i saj në mënyrë vertikale; që nga kushtetutëzimi, parandalimi i diskriminimit për shkak të dallimit gjinor me anë të garancive ligjore; përcaktimi i përgjegjësive institucionale për respektimin e barazisë dhe të përfaqësimit; deri te mbrojtja e dinjitetit qytetar të gjinisë së rrezikuar dhe e të drejtave pronësore të saj në familjen e ndarë.”
Akad. Sinani theksoi se në vepër dëshmohet një njohje e thelluar jo vetëm në pikëpamjen e historisë së të drejtës europiane mbi problemet e barazisë gjinore si çështje e barazisë qytetare në të drejtat njerëzore, por edhe për rrjedhimet që kanë sjellë rregullimet e reja ligjore në jetën reale, rrjedhime që janë paraqitur në mënyrë anatomike. Argumentohet se barazia gjinore nuk është çështje sjelljesh të mira ndaj gjinisë së rrezikuar, por një detyrim që shoqëritë moderne i njohin vetvetes.
Prof.dr. Vasilika Hysa, pedagoge, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës ka falënderuar Akademinë e Shkencave për ftesën dhe mundësinë që iu dha për t’u shprehur lidhur me botimin nga akademikja Anastasi.
Zonja Hysi tha se Barazia para ligjit është ende e parealizuar për një pjesë të qytetarëve. Disa grupe shoqërore janë më të diskriminuara, si: gratë dhe vajzat, gratë kryefamiljare, gratë viktimë e dhunës në familje dhe në shoqëri, gratë me mundësi ekonomike më të pakta, por jo vetëm. Edhe gratë në pozitë shoqërore, ekonomike dhe njohuri në fusha të ndryshme janë shpesh viktima të mungesë së një drejtësie gjinore. “Diskriminimin gjinor, ndonëse më pak është i pranishëm edhe tek burrat. Dhe e dini pse, herë problemet lidhen me boshllëqet ligjore, herë me të dyja dhe herë me mungesën e dëshirës dhe neglizhencës së zbatimit të drejtësisë gjinore”, tha znj. Hysi.
Duke folur për rëndësinë e librit, zonja Hysi tha se barazia dhe drejtësia gjinore janë dy aspekte me rëndësi në kuadër të reformës në drejtësi, për të cilën akademike Aurela Anastasi ka dhënë një kontribut të veçantë si gjatë reformimit të legjislacionit dhe të sistemit të drejtësisë, ashtu edhe në zhvillimin e mendimit juridik në këtë fushë”
Prof. Arta Mandro, anëtare e komisionit të përhershëm të shkencave sociale, juridike dhe ekonomike në Akademinë e Shkencave tha se punimi i akad. Aurela Aanastasit përmban një vulë dinamike të zhvillimeve dhe sfidave të hasura në vend dhe përvojave më të mira kombëtare e ndërkombëtare dhe të arritjeve të saj si studiuese dhe hulumtuese me përvojë. Në të gjendet një analizë në linjë të pandërprerë ku zgjidhet e dhëna më parë, në një moment sjellin nevojën për thellimin në zgjidhje jetëgjata e të qëndrueshme. Këto reflektime gjenden në ndryshimet e bëra në artikujt e saj nga botimi i parë në këtë pëmbledhje të fundit” ,
Linda Pino nga Rrjeti i Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore tha se si aktore e shoqërisë civile, mendoj se ky libër mbart vlerë të paçmuar dhe shërben si një udhrrëfyes i përpjekjeve të pafundme të përmirësimeve ligjore për të garantuar barazi dhe drejtësi për vajzat dhe gratë në Shqipëri.
Në fund vetë autorja Aurela Anastasi pasi falënderoi për vlerësimin që i bën librit kumtuesit e mësipërm, tha se “ky libër është gërshetiim i një pune studimore mbi 20-vjeçare me praktikumin si avokate e të drejtave të grave. Kështu është bërë e mundur të zhvillohet përmes analizës së mendimi juridik për parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit dhe ai i drejtësisë gjinore që jepet përmes gjykatave. Kjo e fundit ka detyrë të shqyrtojë vlerat sociale në raport me parimet e barazisë dhe drejtësisë. Prandaj roli i saj është mjaft i rëndësishëm në vetë ekzistencën e barazisë. Akad. Aurela Anastasi falënderoi Akademinë e Shkencave për botimin e këtij libri.
Shkrimet dhe analizat e këtij botimi pasqyrojnë standardet më të avancuara shkencore dhe universitare, por edhe kontribute të rëndësishme shoqërore.
Akad. Anastasi është përpjekur të gëshetojë këto arritje me reformat dhe lëvizjet e shoqërisë shqiptare, duke pasqyruar ndihmesat e ardhura në këto 20 vjet nga kontributorë të ndryshëm, si ligjbërësit, konstitucionalistët, profesionistët e drejtësisë, avokatë e gjyqtarë, e në mënyrë të veçantë juristë dhe aktivistë të shoqërisë civile.