• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
In business since 1995

Asambleja

Asambleja e Akademisë së Shkencave

Asambleja është trupa e shkencëtarëve dhe e kërkuesve, e cila përbëhet nga akademikë dhe akademikë të asociuar, të cilët do të quhen anëtarë të Asamblesë. Numri i akademikëve është deri në 30, ndërsa numri i akademikëve të asociuar është deri në 10. 

Anëtarët zgjidhen nga Asambleja ndër mbajtësit e titullit “Profesor”, që kanë një kontribut të veçantë me një ndikim të gjithëpranuar në fushën përkatëse, në bazë të kandidaturave të përzgjedhura nëpërmjet procedurave e kritereve të përcaktuara në statutin e Akademisë. Në procedurat e kandidimit e të përzgjedhjes përfshihen edhe struktura apo përfaqësues të institucioneve të kërkimit shkencor, të arsimit të lartë e të kulturës. Në raste të veçanta, anëtarë zgjidhen personalitete me kontribut të spikatur nga fusha e krijimtarisë artistike, kulturës dhe jetës sociale në përgjithësi. Si rregull, akademikët zgjidhen nga radhët e akademikëve të asociuar. Në rast kandidimi të drejtpërdrejtë, kandidati duhet të marrë mbështetjen e jo më pak se 2/3-ve të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë.

Asambleja zgjedh edhe anëtarë të jashtëm ndër personat me shtetësi apo origjinë shqiptare me banim jashtë vendit, figura të shkencës e të kulturës, si dhe anëtarë nderi ndër figurat e shkencës e të kulturës që janë shtetas joshqiptarë me banim jashtë vendit, të cilët me punimet e tyre kanë ndikuar në ecurinë e mendimit e të zbatimit të shkencës në Shqipëri apo në promovimin e të vërtetave dhe të vlerave të origjinës, gjuhës e kulturës shqiptare.

Numri i anëtarëve të nderit është deri në 15, i anëtarëve të jashtëm deri në 10 dhe i anëtarëve korrespondente deri ne 15. Personat me origjinë shqiptare që janë anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të “All European Academies”, fitojnë drejtpërdrejt statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave, e cila formalizohet nga një mbledhje ceremoniale e Asamblesë. Këta të fundit nuk përfshihen në llogaritjen e kufirit maksimal të sipërcituar.

Anëtarët e Asamblesë që mbushin moshën 75 vjeç marrin statusin e anëtarit “Emeritus”. Ata nuk përfshihen në llogaritjen e kufizimeve të pikës 1 të këtij neni.

Detyrat e Asamblesë

  • Zgjedh anëtarët e Akademisë
  • Zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin, sekretarin shkencor dhe drejtuesit e seksioneve.
  • Miraton projektbuxhetin vjetor, pas përgatitjes së tij nga Kryesia, dhe ia dërgon Kuvendit për miratim.
  • Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga statuti.
  • Miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Akademisë për vitin përmbyllës pas përgatitjes së tij nga Kryesia.
  • Miraton programin e punës për vitin pasardhës, si dhe programet afatgjata e strategjitë e zhvillimit.
  • Miraton statutin dhe ndryshimet e tij me 2/3 e votave.
  • Miraton marrëveshjet që nënshkruan Akademia me të tretët, sipas përcaktimeve në statut
  • Përcakton llojet e çmimeve shkencore dhe kriteret e dhënies së tyre.
  • Miraton aderimin e Akademisë në organizata apo bashkime ndërkombëtare me natyrë shkencore.