Image 1 title

type your text for first image here

Image 1 title

Image 2 title

type your text for second image here

Image 2 title

Image 3 title

type your text for third image here

Image 3 title

Image 4 title

type your text for 4th image here

Image 4 title

Image 5 title

type your text for 5th image here

Image 5 title

Image 6 title

type your text for 6th image here

Image 6 title

Image 7 title

type your text for 7th image here

Image 7 title

Image 8 title

type your text for 8th image here

Image 8 title

Image 9 title

type your text for 9th image here

Image 9 title

Image 10 title

type your text for 10th image here

Image 10 title

 

PLATFORMË KANDIDIMI PËR DETYRËN E KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

 

        Detyra dhe përgjegjësia kryesore e gjithkujt që kërkon dhe ka nderin të bëhet pjesë e drejtimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të këtij institucioni elitar të shkencës, krijimtarisë e kërkimit shkencor, është padyshim rritja e reputacionit të këtij institucioni, përcaktimi i qartë i meritave dhe përgjegjësive të tij, si për dështimet e problemet, ashtu edhe për arritjet në fushën e shkencës e të kërkimit shkencor, në promovimin e tyre, për periudhat e suksesit por edhe për periudhat dhe fazat e tranzicionit.

Institucioni duhet të kryejë misionin e tij duke mos iu shmangur përgjegjësive, por edhe duke mos marrë mbi vete atë çfarë nuk i takon.

Është e nevojshme të jetë e qartë se, kjo trupë e zgjedhur ndër vite, ndërmjet studiuesve e kërkuesve që kanë kontribuar në institucionet kryesore të vendit; shkollat e larta, institutet dhe qendrat kërkimore shkencore, kanë qenë ndër kontribuuesit më të spikatur të kohës, si të tillë niveli i tyre, në çdo rast është reflektim i gjendjes, nivelit të standardeve të kërkim-studimit në vend.

E tillë ka qenë ajo qysh në vitet e para të themelimit të Akademisë së Shkencave, e tillë ka qenë edhe kur vetë Akademia u kthye në qendrën më të fuqishme e më produktive të studimit, aplikimit e kërkimit shkencor, por gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ajo nuk është përbaltur, por është nxitur e mbështetur.

Kudo e kurdoherë Akademia e Shkencave, nuk shikohet si vetë problemi, sa herë që ndeshen të tilla në ecurinë dhe nivelin e kërkimit shkencor, por si partnerja kryesore e qeverisë dhe e shoqërisë për ringritjen e standardeve, për dhënien e rrugëzgjidhjeve, për evidentimin e shkaqeve, etj, pra ky duhet të jetë roli ynë parësor dhe kryesor në 4-vitet në vazhdim.

Shkenca shqiptare, sistemi ynë i kërkimit është në fazën e nevojës së një reforme rrënjësore. Akademia e Shkencave do të kthehet nga institucioni që ishte nën presion për t’u reformuar, në institucionin që drejton dhe nxit reformimin e sistemit të shkencës dhe të vetë Akademisë, në institucionin që bën presionin e duhur në emër të trupës së kërkuesve, të mjedisit intelektual e të gjithë shoqërisë, për nevojat dhe drejtimet e reformës, jo vetëm me akte ligjore, por të shoqëruar me institute, qendra kërkimore shkencore të riorganizuara, me dhënie të statusit të merituar punonjësve të kërkimit dhe institucioneve kryesore të sistemit të kërkimit shkencor në vend.

Një shoqëri, mjedis, apo opinion që kërkon të zhvleftësojë deri edhe figurën e akademikut, nuk mund të vendosë në vendin e duhur statusin dhe figurën e kërkuesit shkencor, një shoqëri e mjedis që nënvleftëson rolin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nuk mund të kuptojë rolin e institucioneve dhe njësive të kërkimit, rezultatet e të cilave, shpesh nuk janë të drejtpërdrejta, por janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit në të ardhmen.

Për këtë arsye, ne së pari do të çojmë deri në fund reformën e Akademisë së Shkencave dhe së bashku me të, reformën për kërkimin shkencor. Si çdo reformë nuk është parësor vetëm hartimi dhe miratimi i akteve, parësor është zbatimi i tyre me rigorozitet dhe kreativitet.

Reforma e re mundëson që Akademia e Shkencave, organi i saj kryesor Asambleja, të ndryshojë rrënjësisht përbërjen dhe efektivitetin e anëtarëve të saj, duke u zgjeruar e hapur ndaj të gjithë mjedisin shkencor e intelektual.

Reflektimi në mënyrë profesionale i urdhërimit ligjor, për të përcaktuar në statut procedurat dhe kriteret e pranimit, në bashkëpunim me IAL e institucionet e interesuara, shoqëruar kjo me rritjen e përgjegjësisë së çdo anëtari për të mbështetur e votuar më të mirët, në mënyrë që pranimet e reja të jenë reflektimi real i arritjeve më të suksesshme e më të spikatura të gjeneratave në vijim, do të shënonin hapin e parë për përmirësimin e përbërjes dhe figurës së Akademisë së Shkencave. Kjo do të forconte bashkëpunimin dhe besimin me institucionet e shkencës dhe shkollat e larta, do të forconte lidhjen e Akademisë me këto institucione, të cilat tek Akademia e Shkencave duhet të shohin të reflektua e të përfaqësuara vlerat e tyre më të mira.

Me shtimin e kategorisë së anëtarit korrespondent, sipas reformës, do të mundësohet përfshirja në radhët e Akademisë, e mjaft individëve të suksesshëm, të cilët punojnë në qendra dinjitoze jashtë vendit. Kjo do të jetë jo vetëm një vlerësim për kontributin, talentin dhe sakrificën e tyre, por edhe një stimul e mundësi më shumë për të rikthyer drejt vendit të tyre këto largime, në pamundësi fizike, nëpërmjet vlerave të tyre të drejtpërdrejta.

Për anëtarët korrespondent, duhet të ofrohen forma konkrete bashkëpunimi, të propozuara prej tyre, sipas mundësive e specifikave, për të kontribuar me ardhjen dy-tre herë në vit për të transmetuar dijen e përvojën, nëpërmjet përcaktimit të drejtimeve të kërkimit e të studimit, bashkautorësisë në hartime të strategjive e të curriculave universitare e post/universitare, përfshirjes së disiplinave dhe teknikave të reja, deri edhe në udhëheqje doktoraturash.

Vendosja për herë të parë në ligj e ngritjes dhe funksionimit të Akademisë së të Rinjve, një praktikë kjo tashmë pozitive, do t’i japë kësaj Asambleje mundësinë për një lidhje më të mirë me prirjet e reja të kërkimit shkencor, me frymën e ambicien e kërkuesve të rinj, problematikat që ata hasin në punën e tyre kërkimore. Këta të rinj duhet ta ndjejnë veten të përfshirë në kryerjen e misionit dhe objektivat kryesore të Akademisë së Shkencave, për promovimin e shkencës, përpilimin e strategjive, rritjen e cilësisë së botimeve, organizimin e aktiviteteve shkencore, përfaqësimin e lidhjen me akademitë si motra.

Një prej efekteve pozitive të reformës së ndërmarrë, është edhe rikthimi i legjitimitetit për shumë anëtarë të Akademisë së Shkencave, të atyre me më vlerë e me më shumë përvojë, të cilët kontributin kryesor në këtë Akademi e kanë dhënë në periudhën kur shoqëria nuk e baltoste, por krenohej me Akademinë e Shkencave.
Me ligjin e ri është kategorizuar edhe akademiku “Emeritus” për anëtarët mbi 75-vjeç, një praktikë kjo e zbatuar nga 1/3 e akademive evropiane, që tregon se ekzistojnë mjetet ligjore pa cenuar liritë akademike, pa bërë diskriminime artificiale moshe, që hapin rrugë për gjeneratat e mëparshme, nëpërmjet harmonizimit të brezave dhe jo eliminimit të ndërsjellë midis tyre.

Krijimtaria, përvoja, puna intelektuale, pasioni, nuk njohin moshë. Praktika jonë e këtyre 10-vjetëve ka treguar se mbi 75-vjeçarët, pavarësisht se ligji i deklaronte me të “drejta të kufizuara”, kanë qenë ndër më aktivët dhe kanë botuar ndër veprat më të vyera gjatë kësaj periudhe, deri dhe veprën e jetës së tyre, siç janë: “Skënderbeu” i Kristo Frashërit, apo Fjalori Etimologjik i Kolec Topallit, etj.

Angazhimi ynë është që t’i jepet jetë parashikimit ligjor për përfshirjen si anëtarë komisioni edhe të kërkuesve, profesorëve, doktorëve jo “Akademikë” në komisionet e Akademisë. Kjo masë përbën një përpjekje të qartë për një hapje të Akademisë së Shkencave ndaj institucioneve kërkimore në vend, për ta kthyer atë në një qendër reale të debatit shkencor.

Pra reforma që duam të realizojmë së bashku në këto 4-vitet e ardhshëm, hap Akademinë e Shkencave edhe drejt jo anëtarëve, në kundërshtim kjo me përpjekjet e “reformave” që mbyllnin dyert edhe për vetë anëtarët e saj.

Masat dhe ndryshimet e mësipërme vlerësojnë dhe i japin një dimension të ri Akademisë së shkencave, në rast se së bashku do të dimë t’i zbatojmë ato si duhet, por një sfidë po aq e madhe është edhe hapja e Akademisë së Shkencave ndaj akademikëve dhe Akademive të Rajonit. Realizimi i saj do të vendoste në një bazë më të shëndoshë e më ligjore, veçanërisht bashkëpunimin me Akademinë e Kosovës. Mbështetur në gjithë sa përmendëm më sipër, angazhimi ynë dhe ambicia e përbashkët është që mbledhjet e përgjithshme vjetore të Akademisë së Shkencave, një herë në 2-vjet të shoqërohen nga një “samit i albanologëve” për të evidentuar, përcaktuar, vlerësuar arritjet në fushën e albanologjisë, për gjuhën, origjinën, historinë e identitetin shqiptar me synimin kryesor: përcaktimin e drejtimeve kryesore të kërkim-studimit në këto fusha, përfshirë dhe përgatitjen e specialistëve të rinj, mbështetjen me fonde, etj. çdo dy vjet “samiti” i kërkuesve e studiuesve në fushat e tjera të kërkimit së bashku me anëtarët korrespondentë e dhjetëra kërkues të suksesshëm kudo që janë, për të evidentuar gjendjen, vlerësuar arritjet, kontribuuesit kryesorë dhe drejtimet e së ardhmes.

Aktivitetet e mësipërme do të ndihmonin në kryerjen më të mirë të tri prej detyrave të Akademisë së Shkencave: përzgjedhjen mbi meritën e anëtarësimeve të reja, dhënien e merituar të çmimeve, rritjen e nivelit të botimeve e të buletineve të saj.

Në dhënien e çmimeve, kjo një përvojë pozitive, çmojmë se duhet riparë tërë politika e tyre, si për të rritur transparencën ashtu edhe për larmishmërinë e tyre.

Çmime duhet të ketë në çdo fushë kryesore të kërkimit. Konkurruesit së pari, duhet të konkurrojnë brenda së njëjtës degë apo fushë. Çmimet duhet të kenë më shumë vlerë morale se sa materiale. Vetë ato duhet të bazohen mbi pjesëmarrjen dhe impaktin e punimeve të paraqitura në kongrese, konferenca, takime pune të organizuara nga Akademia e Shkencave apo me iniciativën e saj. Është një ambicie e madhe organizimi vjetor i tyre, ato mundësojnë një vlerësim objektiv të vlerës së gjithkujt, nga vetë mjedisi shkencor.

Gjatë këtyre 4-vjetëve një sfidë e re është rritja e rolit proaktiv të Akademisë së Shkencave në fushën e kërkim-studimit, jo vetëm nëpërmjet punës e veprimtarisë së anëtarëve të saj në fushat e funksionet e veta, por edhe nëpërmjet mundësisë së re që jep reforma: ngritjes së njësive të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Qëllimi dhe synimi nuk është kthimi formal në vitet e lavdisë së Akademisë “me institute”, që i tremben disa, që çuditërisht tmerrohen nga ideja e ngritjes së qendrave elitare pranë Akademisë së Shkencave dhe nuk tmerrohen nga dështimi i shumë qendrave elitare, sapo u shkëputën prej Akademisë së Shkencave.

Riorganizimi i funksionimit të Akademisë së Shkencave nëpërmjet Statutit dhe rregulloreve të reja, në përshtatje me ligjin e ri, do të synojë demokratizimin dhe transparencën e veprimtarisë së kësaj Asambleje, si organi kryesor drejtues i Akademisë, si organi i vetëm që përcakton e miraton politikat, objektivat dhe detyrat e këtij institucioni.

Akademia e Shkencave nuk mund të luajë rolin e misionin e saj, pa vendosur kontakte ligjore komunikimi me Këshillin e Ministrave, Komisionin e Kuvendit dhe organet politikbërëse të shkencës në vend. Ligji i ri parashikon format e këtij bashkëpunimi, por duhet që këto të reflektohen edhe në ligjin e ri për shkencën e sidomos që, vetë kjo Asamble, Kryesia e re të imponohen, në bërjen e tyre efektive. Asambleja si organ këshillimor për politikat për shkencën dhe zbatimin e tyre duhet të dijë të këshillojë, por edhe të dëgjohet.

Riorganizimi i administratës, rikonceptimi i saj, vendosja e një drejtuesi administrativ, do të realizojnë një ndarje më të qartë midis rolit të Kryesisë e të administratorit. Kryesia është së pari drejtuese e Asamblesë e jo e Administratës, përgjigjet kryesisht për realizimin e politikave dhe objektivave të përcaktuara nga Asambleja e jo për shpenzimet.

Përveç sa më sipër Akademisë së Shkencave i burojnë një sërë objektivash e detyrash të shprehura qartë në aktet e reformës përfshirë, platformat alternative, çka do të reflektohen tërësisht në Statutin dhe rregulloret e reja, si dhe në programet që do të miratojë kjo Asamble ndër vite, për shumë nga të cilat Akademia e Shkencave ka krijuar tashmë një traditë pozitive edhe në vitet e vështira, të gjitha këto nuk preferojmë t’i rendisim në këtë platformë, pasi detyrat e misioni ynë tashmë janë të qarta, çdo gjë varet nga aftësia e vullneti për t’i zbatuar e kjo është një çështje besimi reciprok.

Kam besimin se së bashku me Ju, së bashku me prurjet e reja dhe me bashkëpunëtorët e jashtëm të rinj, që mundëson reforma, ne mund t’i realizojmë ato. Në qoftë se Ju keni të njëjtin besim, do të jetë një nder e përgjegjësi për Ne shprehja e këtij besimi me votën tuaj.

Akademik Skënder Gjinushi

 

Kliko për të lexuar CV e Akad.Skënder Gjinushi