Thirrje për pjesëmarrje në Konferencë shkencore ndërkombëtare
- Details
- Hits: 25264
Thirrje për pjesëmarrje
Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan
Konferencë shkencore ndërkombëtare
(Në 250-vjetorin e lulëzimit të Voskopojës: 1767-2017)
Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon konferencën shkencore ndërkombëtare Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan, (1767-2017), e cila parashihet të mbahet në gjysmën e parë të muajit nëntor 2017. Do të ftohen të bashkëpunojnë edhe institucione e studiues nga Austria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria, Bullgaria, Turqia, Polonia, Serbia, Zvicra, Italia, Franca etj.
Në vitin 1767, pas një krize të hierarkisë kishtare, patrikana e Ohrit, nën sufraganitetin e së cilës ishin dhe Voskopoja, Vithkuqi e Korça, e humbi statusin e vet historik, që e trashëgonte qysh nga fillimi i shekullit XI dhe u rikthye nën vartësinë e patrikanës-mëmë të Konstantinopojës.
Dy vjet pas suprimimit të statusit si patrikanë, trashëguar qysh prej Justiniana Prima-s, Voskopoja u dogj për herë të parë. Shkatërrimet dhe djegiet nuk iu ndanë Voskopojës deri në gjysmën e parë të shek. XX. Bashkë me qytetin u dogjën e u shkatërruan kisha e manastire, biblioteka dhe dorëshkrime, ikona dhe ikonostasë. Popullsia e vendit u shpërngul e u shpërnda nëpër Ballkan e Europë dhe vetë Voskopoja u shndërrua nga qendër urbane që kishte të njëjtat zhvillime mendore e lëndore si Europa e le siècle des lumières, në një vendbanim modest.
Statusi i patrikanës, përjashtimi prej sistemit fiskal otoman dhe një lidhje e drejtpërdrejtë e kishës së Voskopojës me Haverin e Madh të Jeruzalemit, ishin tre faktorë të jashtëm që nxitën zhvillimin e qytetit.
Përbërja hetero-kombëtare, hetero-gjuhësore dhe hetero-fetare; struktura demografike dhe lidhjet e shumëfishta me kulturat e mëdha të kohës, janë vetëm disa prej faktorëve të brendshëm të këtij lulëzimi.
Konferenca do të ketë për qëllim të ndriçojë fenomenin e Voskopojës në dritën e koncepteve bashkëkohore të eurokulturës dhe të receptimit empatik të tjetrit. Ajo do të orientohet në këto tema kuadër:
-
Faktorë zhvillimorë historikë dhe kulturorë, të brendshëm dhe të jashtëm me ndikim në lulëzimin e Voskopojës;
-
Dorëshkrimet e Voskopojës: tradita dhe gjendja e tyre sot (Kodiku i Manastirit të Shën Prodhromit, Codex Dimonie);
-
Voskopoja dhe zhvillimi i alfabeteve në popujt e Ballkanit (Teodor Kavalioti, Teodor Haxhifilipi, abetarja e Mihail Boiagi);
-
Voskopoja dhe shekulli i iluminizmit gjuhësor në Ballkan;
-
Voskopoja dhe rregullimi qytetar i jetës: kodikët e mjeshtërive (esnafët);
-
Shekulli i akademisë, tipografisë, fjalorëve dhe gramatikave;
-
Gjuhët e Ballkanit përballë njëra-tjetrës. Rreth raporteve lingua franca - lingua vernacula në Voskopojën e shek. XVIII;
-
Statusi kishtar i Voskopojës nën patrikanën e Ohrit dhe më pas: rrjedhimet shoqërore-kulturore;
-
Voskopojarët pas djegies së Voskopojës, prania e tyre kulturore në Austri, Hungari, Kroaci, Rumani (rasti i piktorit dekorator Teodor Grunde / Grundovich);
-
Voskopojarët në Manastir dhe në qytete të tjera;
-
Voskopoja si model bashkëkohor zhvillimi transnacional dhe transgjuhësor;
-
Iluminizmi gjuhësor i Voskopojës dhe ideologjitë kombëtare të popujve të Ballkanit;
-
Bajronizmi, idetë filozofike të Leibniz-it për gjuhët popullore dhe zhvillimet në Voskopojë;
-
Voskopoja, Janina (Zosimea) dhe qendra të tjera të iluminizmit në Ballkan;
-
Vështrime krahasuese tejshkrimeve (transkriptimeve) të burimeve arkivore të Voskopojës nga një kohë në tjetrën.
Koha e mbajtjes së konferencës është parashikuar për në gjysmën e parë të muajit nëntor 2017, një ditë në Tiranë dhe një ditë në Voskopojë.
Komiteti shkencor organizator i konferencës mirëpret propozimet e të interesuarve sipas këtij kalendari:
- Dërgimi i titullit të kumtesës me një abstrakt jo më pak se 250 fjalë; preferohet në gjuhën angleze ose në gjuhën shqipe, deri më 15 maj 2017.
- Komiteti shkencor organizator do të vendosë për pranimin e tyre deri më 30 qershor 2017. Regjistrimi do të jetë pa pagesë.
- Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbulon koston për lëvizjet e brendshme në Shqipëri, vizitat në vende muzeale-historike, pjesëmarrjen në veprimtari kulturore dhe artistike.
- Komunikimi me komitetin shkencor organizator do të realizohet përmes sekretarisë, në adresën elektronike This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.; This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.; This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
Komiteti shkencor organizator i konferencës
Akad. Floresha Dado
Kryetare e Seksionit të Shkencave
Shoqërore e Albanologjike