Akademik Shaban DEMIRAJ

Category: Uncategorised
Published on Thursday, 22 October 2015 11:00
Hits: 6862

Shaban DEMIRAJ
Fusha: Gjuhësi


Akademik Shaban DEMIRAJ

DEMIRAJ Shaban (1920–2014).Gjuhëtar, profesor, akademik, anëtar i ASHAK, Mësues i Popullit. Në vitet 1993–1997 ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lindi në Vlorë. Kreu shkollën e mesme (Medresenë) në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar (1946–1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954–1955). Në vitet 1948–1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në UT ku shërbeu deri në vitin 1990. Në vitin 1962–1989 ka qenë përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe dhe në vitet 1962–1966 zv.dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të UT. Ka zhvilluar kryesisht lëndët: morfologji e gjuhës së sotme shqipe, gramatikë historike e shqipes, histori e gjuhës së shkruar shqipe (shek. XVIII–XIX), duke hartuar dhe tekstet përkatëse për to, si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Ka botuar veprat: “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”, (1972); “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, 1986 (në një formë më të përmbledhur është botuar edhe gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë, 1993); “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, 1988 (botuar edhe italisht nga Universiteti i Kalabrisë, 1997); “Gjuhësi ballkanike”, Shkup, 1994 (shqip dhe maqedonisht), ribotuar në Tiranë, 2004; “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (1996); “Prejardhja e Shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (1999), dhe një version anglisht i saj “The Origin of the Albanians (linguistically investigated)” (2006); “Eqrem Çabej” (1990); “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët” (2008). Shaban Demiraj është redaktor dhe bashkautor në veprën “Gramatikë e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia” (1976, ribotuar 1995, 2002) etj. Ka botuar edhe një varg artikujsh shkencorë edhe jashtë vendit për çështje të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës dhe të fonetikës historike, si edhe të ballkanologjisë. Ka transkriptuar e përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës “Kënga e sprasme e Balës” (1994), ka përkthyer edhe romanin “Martin Iden” të Xhek Londonit (1959). Anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë (dy herë); është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.