Botime

Akademia e Shkencave e Shqipërisë boton një numër të madh monografish, veprash shkencore, si edhe periodikësh, duke mbuluar kësisoj një spektër të gjerë të rezultateve të shkencës shqiptare në fushat humanitare, fizike e natyrore dhe shkencat e tjera të kryqëzuara.

 

Veprat përfaqësuese të botuara deri më sot (më shumë se 300 tituj) nga Akademia e Shkencave, mbeten pika referimi të sigurta dhe maten me nivele të përparuara të rajonit e të kontinentit për çështje thelbësore dhe kyç të historisë, gjuhës, traditës dhe në përgjithësi, të kulturës sonë kombëtare. Fjalori i Gjuhës së Sotme shqipe, Gramatika e Gjuhës Shqipe, Historia e Popullit Shqiptar, Historia e Letërsisë Shqiptare, Atlasi Klimatik i Republikës së Shqipërisë, Flora e Shqipërisë, Rajonizimi Sizmik i RPSSH, Harta Gjeologjike e Republikës së Shqipërisë, Gjeografia Fizike e Shqipërisë etj., janë fryt i një pune të gjatë dhe mbajnë firmat e personaliteteve më të njohura të shkencës shqiptare. Në vitin 2008, panë dritën e botimit tri vepra: Fjalor Enciklopedik Shqiptar(në tri vëllime), Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe dhe Harta Arkeologjike e Shqipërisë.