Category: Të reja
Written by Nevila
Hits: 2769

 

Promovimi i botimeve “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX” dhe “Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë”(L. Dupré – shqipëruar dhe plotësuar me një studim hyrës) të studiuesit Luan Rama

 

Studiuesi Luan Rama promovoi në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave, më 11 shtator 2019, dy librat e tij më të rinj: “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX” një punim shumë voluminoz i tij dhe botimin “Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë”, të Luois Dupré, të shqipëruar dhe të plotësuar me një studim hyrës prej gati 30 faqesh. Libri i tij “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX” është një udhëtim në histori për të treguar kohë të humbura, qytete të tjetërsojta dhe epoka të harruara. Si ishin qytetet shqiptare të asaj mesjete të vonë? Një përshkrim i detajuar na zbulon imazhin e tyre.


Studiuesi ka marrë në duar qindra dokumente nga arkivat franceze për të treguar Shqipërinë e Mesjetës së vonë sipas letrave të diplomatëve francezë. Historia e tyre na shfaq ngjarje mbresëlënëse, duke na nxitur imagjinatën për të rikrijuar në mendjet tona imazhin e qyteteve shqiptare dhe të jetës së përditshme në Shqipëri, ku krahas bëmave historike, janë edhe legjendat, këngët historike dhe ato të dashurisë, përrallat, supersticionet e deri tek ‘ligjet’ e gjakut”.


Promovimin e këtyre botimeve e hapi akad. Floresha Dado, kryerate e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, duke i cilësuar këto botime të studiuesit Luan Rama me shumë vlerë, si në fushën e historisë, diplomacisë e albanologjinë në tërësi.


Prof. dr. Aurel Plasari në kumtimin e tij të titulluar Refuzimi i “Shqipërisë turke” prej konsujve francezë, e cilëson këtë studim voluminoz si një punim divulgativ me interes shkencor albanologjik, që në kulturën shqiptare do të duhej të qe kryer qysh para 50 vjetëve, për të mos thënë prej një shekulli. Fjala është, thotë prof. Plasari, për atë informacion mbi “botën shqiptare”, të cilin vetëm sa nisi t’ua bënte të njohur, paksa, shqiptarëve Faik Konica, ndërsa punoi për t’ua paraqitur më gjerë Lumo Skëndo në vitet ’20 të shekullit të kaluar te “Diturija” me ciklin e njohur “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit XIX”. Nuk duhet shpërfillur fakti se që pothuaj të gjithë konsujt e Fuqive të Mëdha në “Shqipërinë turke” ishin edhe udhëtarë, madje udhëtarë të pasionuar.


Ndoshta më pak si konsuj, dhe më shumë si udhëtarë, ata janë të parapëlqyer me dëshmitë e tyre për atë që, në kohën e tyre, në pjesën tjetër të Europës e quanin “L’Albanie Turque”. Parimisht ndër të dhënat shumëfarëshe që vilen prej burimeve të të huajve për “botën shqiptare”, them në përgjithësi, ndodh që dëshmitë e udhëtarëve të kenë përparësi ndaj të dhënave të akteve zyrtare dokumentare, madje edhe ndaj kronikave të shkruara nga zyra a nga qelia e murgut. Udhëtari i ka shkelur me këmbë, ndonjëherë edhe me kokën në rrezik, viset që i kanë interesuar; ai i ka ndeshur për së gjalli njerëzit që ka njohur dhe për të cilët ka treguar. Para një libri si ky lexuesit janë me fat, sepse ky libër u ofron lexuesit më shumë se një regjistër leximi. Për vete, siç do ta keni parashikuar, më intereson regjistri kryesor, ai nga këndi i interesit të shkencës së albanologjisë. Me të gjithë konsujt që në këtë përmbledhje janë paraqitur duke u përshkuar e cituar shpesh edhe shumë gjerësisht, – deri në kufijtë antologjikë, – libri funksionon si një guidë komode për kërkues nga më të ndryshmit të disiplinave të albanologjisë: për historianë, për arkeologë, për entografë dhe antropologë, për gjeografë, për studiues të diplomacisë, për specialistë të religjioneve, për fokloristë, për specialistë të ekonomisë, deri edhe gjenealogjistë, specialistë të heraldikës etj.


Prof. dr. Irakli Koçollari me temën: Luan Rama një diplomat përtej misionit të diploamtit, në fjalën e tij citon se informacionet konsullore kanë qënë dhe mbeten një burim tradicional me rëndësi të madhe për nevojat e vlerësimit të historisë së popujve, të organizimit të jetës së brendshme, të natyrës së tyre, të organizimit politik, marrëdhënieve të ndërsjellta me popujt fqinjë etj., e se këto dy botime që prezantohen sot, kanë në substancën e tyre inventarin e këtij burimi informativ, kujtimet, raportet dhe informacionet e Konsujve Francezë si dhe kronologjinë e emërimit dhe të funksionimit të veprimtarisë së tyre në territoret Arbërore. Pa mëdyshjen më të vogël, thotë prof. Koçollari, themi se, botimi “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX” dhe botimet e tjera të kësaj natyre janë një punë e vyer dhe me interes për shkencën e albanologjisë, pasi ato na sjellin të dhëna në lëmin e historisë, të marrëdhënieve dhe këmbimeve diplomatike, të pranisë së interesave politike dhe diplomatike franceze në Shqipëri, por edhe më gjerë se kaq.


Një kronike e tillë e historikut të këmbimeve diplomatike mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Francës, jam i bindur, thotë ai, që i ka munguar edhe vetë Ministrisë së Jashtme shqiptare. Në këtë kuptim, botimi i z. Luan Rama merr vlera shumëplanëshe dhe pasuron fondin e historikut edhe të këtyre marrëdhënieve, të cilat duhet të njihen edhe nga diplomatët tanë.


Studiuesja Suzana Varvarica Kuka në temën e saj: Louis Dupré dhe dëshmija e tij piktorike në trojet e Orientit jugperëndimor të Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1819-1825, e cilëson studiuesin Luan Rama si një prekës të temave të shumta të artit pamor, duke mos anashkaluar shkrimin e librave biografik, trajtimin e subjekteve të ndryshëm dhe analizimin e faktit artistik shqiptar të zhvilluar në dhé të huaj. Gjithashtu, ai është shqipërues i jetëve të artistëve të huaj, si dhe i librit të udhëtimit të piktorit Louis Dupré, me titull “Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë”, që është një libër tërheqës, i përkthyer nga frengjishtja dhe në themel të faqeve janë kujtimet dhe imazhet e disa litografive që Louis Dupré i kreu në moshën 30 vjeçare. Struktura e Librit “Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë” i autorit Louis Dupré, thotë prof. Varvarica, është konceptuar në tri pjesë. Shqipëruesi Luan Rama e nis librin me studimin e tij linear me titull “Louis Dupré dhe bota shqiptare”, që cek hap pas hapi kujtimet, derisa përmbledh tërësinë e përmbajtjes së tyre. Studimi ndiqet nga teksti i përkthyer në shqip “Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë” dhe pjesa e tretë, i përket botimit të tekstit në frengjisht sipas origjinalit të autorit Louis Dupré. Në studimin e tij, Luan Rama analizon pikat qendrore të itinerarit udhëtues drejt orientit modern të Louis Dupré dhe tre miqve të tij. Ai sjell fakte biografike të artistit Dupré, që vijnë si impenjim profesional i shqipëruesit, si dhe nevojshmëri njohëse dhe orientuese për lexuesin e ri të shek. XXI. Atij i jepet mundësia të argumentojë ndaj përjetimeve dhe opinioneve të individëve perëndimore, si dhe të përfitojë nga kërshëritë e ndijimeve të tyre gjatë udhëtime drejt siteve antike arkeologjike, në shekujt e lartëpërmendur.


Luan Rama hulumton dhe ndalet si një vëzhgues i mprehtë mbi shënimet e piktorit francez Louis Dupré. Ai evidenton thelbin e tyre. Madje kërkon të informojë me fakte të tjera historike, duke i pasuruar shënimet e piktorit në arsyen e modelimit të faktit, që lexuesi të kuptojë qartë kohën, motivin dhe qëllimin e udhëtimeve të perëndimorëve drejt orientit modern.


Orienti modern, aso kohe, nënkuptonte kombe e territore të Europës jugperëndimore të përfshira nën administratën turke. Në tokat e tij gjendej kultura antike si ajo e Greqisë së Lashtë, e cila ishte bërë frymëzim dhe nxitje e realitetit të kohës. Artistë, shkrimtarë, filozofë dhe estetë të shekujve 18 dhe 19, kërkohin të preknin dhe studionin në origjinal artefaktet antike.


Hap pas hapi, shqipëruesi i jep njehësim përjetimeve të francezit Louis Dupré në takimet me Ali Pashë Tepelenën, me psikun, fizikun dhe mënyrën e të sjellurit e të jetuarit të shqiptarëve të Epirit e të malësorëve luftëtarë arvanitas e suljotë; me kohën, natyrën, me banesat, me zakonet, me armët, me rrënojat antike, me veshjet e me elemente të tjerë, që lidhen edhe me kombësitë greke, arumune, sllave e turke. Ai është ndalur edhe në marrëdhëniet e konsujve dhe ushtarakëve anglezë e francezë, që lëvizën, jetuan dhe udhëtuan në tokat e Orientit modern.


Louis Dupré me librin e udhëtimit dhe me pikturat e tij do të mbetet një piktor francez i rëndësishëm për kulturën shqiptare, sepse jo vetëm fjala dhe mendimi tij japin një kontribut të caktuar në një segment të historisë shqiptare, por edhe pikturat e tij janë një fushë referimi, ku mund të gjesh shumë argumente për të biseduar rreth vlerave të panjohura në stilin neoklasik, në personazhet e njohura që trajtoi dhe në elemente të kostumografisë së një kohe të shkuar.


Luan Rama ka ditur të vlerësojë në shumë aspekte rëndësinë e këtij udhëtari piktor dhe përkthimi i tij është një aspakt i barasvlefshëm me të gjithë aspaktet që përmban studimi i tij në këtë libër, në dukje i vogël, por me shumë vlerë në faqet e tij.


Në fund, studiuesi Luan Rama shprehu falenderimin për Akademinë e Shkencave që mundësoi organizimin e këtyre promovimeve e vlerësimin që i bëri studimeve të tij, falenderoi kumtuesit, prof. Plasarin, prof. Koçollarin dhe prof. Varvaricën për punën e vlerësimet e tyre si dhe renditi detaje nga puna e tij në arkivat franceze si edhe pasionin e tij për të vazhduar me studime të tjera të kësaj natyre.