Konferenca Ndërkombëtare “Bioteknologjia dhe Gjenetika – zhvillimet dhe sfidat e së ardhmes”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në datat 20 – 21 maj 2021 do të organizojë në Tiranë Konferencën Ndërkombëtare “Bioteknologjia dhe Gjenetika – zhvillimet dhe sfidat e së ardhmes”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin e Mjekësisë të Tiranës dhe me mbështetjen e EBTNA-së do të organizojë në Tiranë Konferencën Ndërkombëtare “Bioteknologjia dhe Gjenetika – zhvillimet dhe sfidat e së ardhmes” (Biotechnology and Genetics – Developments and Future Challeges), BGIC -2021.

Konferenca do të zhvillohet në Tiranë në mjediset e Akademisë së Shkencave në datat 20 – 21 maj 2021.

BGIC-2021 do të jetë një mundësi për të prezantuar rezultatet e kërkimit shkencor bashkëkohor në Shqipëri dhe më gjerë në fushën e bioteknologjisë dhe gjenetikës, në një auditor ku kërkuesit nga universitetet, institucionet shkencore, bizneset, etj do të shkëmbejnë përvojat e tyre.

Njihet gjerësisht që bioteknologjia krijon mundësi për aplikime të reja me ndikime të thella në shoqëri dhe ekonomi. BGIC-2021 do të nxjerrë në pah përparësitë dhe potencialet më të mira në kërkimin shkencor në fushën e bioteknologjisë dhe gjenetikës dhe do të jetë një nxitje për sfida të reja në kërkim të përfshirjes së qasjes moderne, e nevojshme për të zgjidhur probleme të ndryshme të ekonomisë, duke hapur aplikime të reja në kujdesin shëndetësor, bujqësinë dhe prodhimin e ushqimit, mbrojtjen e mjedisit, etj.

Qëllimet kryesore të BGIC-2021 janë:

• Vlerësimi i zhvillimeve të aplikimeve bioteknologjike dhe gjenetike në vend me qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis kapaciteteve lokale;

• Nxitja e bashkëpunimit të ri midis institucioneve vendore dhe të huaja në kuadrin e Programeve Rajonale, Europiane dhe Ndërkombëtare në lidhje me bioteknologjinë dhe gjenetikën;

• Vendosja e metodave dhe infrastrukturave të reja moderne të kërkimit shkencor për kërkime ndërdisiplinare dhe për bashkëpunim midis specialistëve të fushave;

• Fillimi i një kapërcimi cilësor në kërkimin e aplikuar të bioteknologjisë dhe gjenetikës në universitetet, institucionet shkencore dhe industrinë shqiptare.

Tematikat kryesore të kësaj konference do të jenë në fushat e bioteknologjisë mjekësore dhe farmaceutike, gjenetikës së popullatave, bioteknologjisë së bimëve dhe kafshëve, bioteknologjisë së ushqimit dhe bioteknologjisë mjedisore.

Konferenca do të mbahet në gjuhën angleze dhe të gjithë dokumentat e saj si thirrjet dhe libri i abstrakteve do të jenë gjithashtu në anglisht.

Për organizimin e konferencës është menduar përveç komitetit shkencor dhe organizativ si dhe sekretarisë shkencore të konferencës, të krijohet edhe një komitet nderi.