REAGIMI SHKENCOR KUNDER COVID19

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike miraton kandidaturat për titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” të ASH-së

 

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, në mesditën e sotme organizoi veprimtarinë shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”.

“Është në traditën tonë festimi i ditëve të shënuara, siç janë dhe festimi e nderimi i ditëlindjeve të anëtarëve tanë, por kjo ditë, dita e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit shqiptar më të madh të të gjitha kohërave e anëtarit më të vlerësuar të ASH, mikut tonë Ismail Kadare, është një ditë e veçantë.”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku theksoi se Kadareja e bëri të njohur ndërkombëtarisht letërsinë shqipe e ndërkohë vetë Kadareja rreshtohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore të kohës sonë.

“Kadareja e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj. Çdo letërsi ka uljet e ngritjet e veta, ka përfaqësuesit e saj të periudhave e kohërave të ndryshme, ata që përbëjnë panteonin, e pa dyshim Kadareja është më i shquari në panteonin e letrave shqipe pasi ai e ngriti atë në lartësi të tilla që çdo letërsi i përjeton rrallë në rrjedhë të shekujve”, tha kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare z. Pirro Misha në fjalën e tij u ndal në dy aspekte të jetës së shkrimtarit; në atë që Kadareja e bëri të njohur letërsinë shqipe në botë, “e cila edhe pse ishte shkruar nga paraardhësit e shquar të letërsisë shqipe të viteve ’30 si Konica e Koliqi në Europë, nuk mundi dot të bëhej aq e njohur” dhe aspekti tjetër sipas z. Misha ishte që “Kadareja është shkrimtari më i lexuar se të gjithë nobelistët e Ballkanit, ku ndoshta vetëm Kazanzaqi ka këtë njohje kaq të madhe”.

Prof. Bashkim Kuçuku përgatitës i përmbledhjes voluminoze me studime, vlerësime për veprën e shkrimtarit të madh shqiptar “Kadareja në kritikën franceze”, në lidhje online me audiencën e pranishme në veprimtarinë shkencore “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore” tha ndër të tjera se:

“Metadiskurs-i kadarean, apo, kritika dhe studimet për veprën e tij, në gjuhë të tjera, është një sistem tjetër, madje, parësori, mjaft i pasur, i mvehtësishëm e i shumëllojshëm nga gjuhët dhe nga këndvështrimi letrar e kulturor. Pasuria dhe larmia e këtij sistemi koherent, konkretizohet, edhe në përmbledhjen anastatike Kadareja në kritikën botërore, në tre vëllime, që po boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me 2500 shkrime e studime të llojeve të ndryshme, në vitet 1971-2000, vjelur në gazeta e revista dhe jo nga librat studimorë. Dy vëllimet e para, në frëngjisht, afërsisht 1500 faqe, sapo kanë dalë. Vëllimi i tretë, në përgatitje, është në gjermanisht, italisht, spanjisht, anglisht, portugalisht, suedisht, etj. Megjithatë, kjo përmbledhje e vëllimëshme, mund të jetë vetëm pjesa më e madhe e metaveprës kadareane në këto 7-8 gjuhë të Europës dhe të Amerikës. Në të nuk ka shkrime në gjuhët e Europës Lindore dhe të vendeve të tjera të Lindjes, madje, as në gjuhët fqinje të Ballkanit”.

Më pas, akad. Vasil S. Tole, nënkryetar i ASH prezantoi kandidaturёn e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare pёr çmimin NOBEL nё letёrsi.

“U bënë disa vite rresht që Akademia e Shkencave e Shqipërisë propozon e ripropozon kandidaturën e shkrimtarit, akademikut Ismail Kadare pranë jurisë së çmimeve NOBEL në letërsi, e cila funksionon pranë akademisë simotër të Suedisë.”, tha akad. V.Tole, duke theksuar se vepra e Kadaresё, nga viti nё vit, shtrin gjeografinё e territorit nё tё cilin ajo shkel pёr herё tё parё nё tё gjithё botёn, njёherazi edhe gjuhёt e leximit tё saj shtohen progresivisht.

“Numri i titujve tё botuar e ribotuar jashtё gjuhёs amtare ka arritur nё mbi 1500 tё tillё! Dikur ishin nizamёt shqiptarё qё pothuajse ishin tё pranishёm nё katёr cepat e botёs, sot ёshtё vepra letrare e Kadaresё ajo qё bashkё me emrin e autorit lartёson edhe emrin e Shqipёrisё sonё. Prandaj ripropozimi ynё pёr kandidaturёn e Ismail Kadaresё nuk ёshtё shenjё e kёmbёnguljes dhe kokёfortёsisё ballkanase, por njё propozim i arsyetuar dhe bindёs tё cilin e ndjejmё si detyrim t’ia pёrcjellim modestisht Akademisё Suedeze dhe Jurisё sё çmimit Nobel.”, tha nënkryetari i ASH, akad.Vasil S. Tole.

Ekspozita e fotografit të njohur Roland Tasho solli për të pramishmit çaste të bukura nga jeta e shkrimtarit, si vizita në vendlindje, dhe çaste kulmore të jetës dhe karrierës së tij në Shqipëri dhe botë.