REAGIMI SHKENCOR KUNDER COVID19

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike miraton kandidaturat për titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” të ASH-së

Njësia e Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë shqiptare, takimi me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad.Skënder Gjinushin

Sot në datën 12 shkurt 2021 në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua një takim i kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad.Skënder Gjinushi me përfaqësues të njësisë NanoAlb për të diskutuar në lidhje me vazhdimësinë e aktivitetit të kësaj njësie gjatë vitit 2021.

 

Njësia NanoAlb do të vazhdojë aktivitetet e saj për të mbështetur dhe fuqizuar kërkimin shkencor në fushën e nanoteknologjisë në universitetet shqiptare. Aktivitetet që planifikohen të realizohen gjatë këtij viti do të synojnë të forcojnë bashkëpunimin midis grupeve kërkimore të atashuara pranë NanoAlb-it në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut si dhe afrimin e grupeve të reja pranë NanoAlb; zgjerimin e bashkëpunimit dhe vendosjen e lidhjeve dhe komunikimit me kërkuesit shqiptarë të suksesshëm në Europë e më gjerë; propagandimin e aktivitetit të grupeve NanoAlb nëpërmjet përgatitjes dhe mirëmbajtjes të web –NanoAlb si dhe rrjeteve sociale, etj.

Për të realizuar këto objektiva, njësia ka miratuar planin e aktiviteteve, i cili gjen mbështetje të plotë nga Akademia e Shkencave.

Gjatë takimit të sotëm u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me veprimtarinë e ardhshme të Nanolb-it, si përfundimi me sukses i 5 projekteve të mbështetura financiarisht nga Akademia e Shkencave, vazhdimi i financimit të tyre, si dhe mënyrat e raportimit të rezultateve për të patur impakt sa më të gjerë.

Gjithashtu u diskutua mbi vazhdiminë e traditës së krijuar në këtë njësi gjatë vitit të kaluar në lidhje me organizimin e webinareve me shkencëtarë dhe profesorë të huaj të spikatur, por edhe me shkencëtarë dhe studiues shqiptarë të spikatur në diasporë.

Do të organizohen takime të NanoAlb-it në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut me kompanitë dhe industrinë për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin ndërmjet grupeve kërkimore dhe industrisë. Gjithashtu u diskutua edhe për përgatitjet që do të bëhen në lidhje me organizimin e kongresit ndërkombëtar në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë më 4-8 tetor në Tiranë. U përcaktuan edhe detyrat në mbështetje të këtij takimi kaq të rëndësishëm.

Gjithashtu, gjatë vitit në vazhdim, NanoAlbi do të ndërmarrë edhe përgatitjen e numrit special në AJNTS me punime të grupeve NanoAlb, si edhe do të arrihet të përgatitet një master shkencor në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë, i cili mendohet të jetë gati për vitin e ardhshëm akademik. NanoAlbi po punon edhe për të dalë online me një faqe të veçantë ku i gjithë informacioni të jetë në gjuhën angleze në mënyrë që të jetë më i aksesueshëm nga gjithë bota akademike, duke synuar vendosjen e lidhjeve të reja në bashkëpunimin shkencor. Këto edhe çështje të tjera u diskutuan në takim dhe morën mbështetje për realizimin e tyre.