- Details
- Hits: 2485
Detyrat e Seksioneve Shkencore
Në përputhje me Statutin e Akademisë së Shkencave, neni 25, Seksionet:
-Orientojnë, organizojnë, bashkërendojnë dhe ndjekin veprimtarinë shkencore në fushat e shkencave që mbulojnë;
-Ndjekin gjendjen dhe zhvillimin e shkencave në tërësi dhe nxitin e mbështetin nismat shkencore, punët kolektive e ndërdisiplinore që zhvillohen në vend në mënyrë që veprimtaria kërkimore-shkencore dhe e zbatuar të jetë më e efektshme; paraqitin propozimet e nevojshme përpara Kryesisë, Këshillit Ekzekutiv e Asamblesë për orientimin, organizimin dhe bashkërendimin e kësaj veprimtarie;
-Propozojnë në Kryesinë e Akademisë së Shkencave “Kalendarin vjetor të konferencave dhe veprimtarive shkencore” që do të zhvillojnë gjatë vitit kalendarik;
-Studiojnë dhe paraqitin perspektiva për zhvillimin e shkencave në fushat përkatëse; bëjnë propozime për ngritje bërthamash, grupesh e qendrash shkencore të veçanta për studime ndërdisiplinore, për ngritje komisionesh studimi për probleme të caktuara të rëndësishme, duke aktivizuar edhe specialistë të jashtëm;
-Caktojnë kriteret themelore për botimet akademike të profilit të tyre dhe botojnë revista shkencore të specializuara, redaksitë e të cilave funksionojnë pranë këtyre seksioneve;
-Diskutojnë e japin mendim për botimin e veprave akademike të fushave përkatëse dhe i paraqesin ato në Këshillin e Botimeve të Akademisë;
-Propozojnë hapjen e fushave pë vendet vakant dhe shqyrtojnë e japin mendim për kandidatët që aplikojnë për akademikë të rregullt e të asociuar ose të përhershëm, të cilat i paraqitin në Asamble;
-Propozojnë në Kryesi kandidatura për titullin “Antarë Nderi”;
-Japin rekomandime për përfshirje në programe, projekte institucionale, kombëtare, rajonale e ndërkombëtare për fusha të ndryshme të kërkimit e të zhvillimit;
-Paraqesin në Kryesi, në Këshillin Ekzekutiv dhe në Asamblenë e Akademisë analiza për gjendjen e kërkimeve në fusha të ndryshme, projekte për drejtimet themelore të studimeve në fushat përkatëse;
-Ndjekin dhe zbatojnë realizimin e detyrave të seksionit, që rrjedhin nga protokollet e bashkëpunimit dypalësh të Akademisë;
-Mbi bazën e konsultimeve me institucionet kërkimore e shkencore i propozojnë Kryesisë për organizimin e seminareve, sesioneve shkencore, konferencave kombëtare e ndërkombëtare dhe pas miratimit, bashkëpunojnë në përgatitjen dhe zhvillimin e tyre;
-Për studimin e çështjeve me rëndësi të veçantë seksioni ngre grupe të posaçme pune/komisione me specialistë të fushave përkatëse, brenda dhe jashtë Akademisë, të cilët në bashkëpunim me Njësinë e Projekteve të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik e Inovacioneve paraqesin në seksion, Kryesi, Këshillin Ekzekutiv dhe në Asamblenë e Akademisë projekte ose përparësi të kërkimit shkencor;
-Në bashkëpunim me Njësinë e Projekteve organizojnë dhe drejtojnë punën për përgatitjen e programeve të veprimtarisë së Akademisë;
-Japin kontributin e tyre në hartimin e programeve qeveritare për kërkim dhe zhvillim, si në Programet Kombëtare të Kërkimit e Zhvillimit, strategjitë e ndryshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës e institucione të tjera të vendit;
-Raportojnë me shkrim në Kryesi mbi veprimtarinë vjetore të seksionit, brenda përfundimit të vitit.