Ndërroi jetë në mënyrë të papritur akademiku Gudar Beqiraj

 

 

Kryesia e Akademisë së Shkencave njofton me hidhërim të thellë se akademiku Gudar Beqiraj ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur. 

 

Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave. 

 

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Akademinë tonë të Shkencave, për bashkësinë e studiuesve të fushave ku ai veproi, për miqtë e shumë në universitete brenda dhe jashtë vendit, për qytetarët e shumtë me të cilët e patën lidhur interesat e tij të fuqishme dhe ndjenjat e fisme njerëzore. 

Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit. 

 

Akademik Gudar Beqiraj i takon atij brezi që mori formimin bazik në Universitetin e Tiranës dhe u formua e specializua jashtë vendit. I diplomuar në fushën e matematikës, ai plotësoi kualifikimin në fushën e gjeostatikës në Qendrën e njohur të kësaj fushe në Fontainbleau (Francë), duke thelluar njohjen në fushën e krijuar me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”. Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane.

 

Gudar Beqiri ka përfaqësuar dijen vendëse në fushën e informatikës aplikative qysh në vitet 1980, si pjesëmarrës në veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, si Kongresi III Botëror i Gjeostatistikës (Avignon, 1987); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (1989, Çeki); në simpoziumin “Codota” (Leeds, 1990)); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (me një vlerësim me medalje argjendi të paraqitjes shkencore, Çeki, 1991).

Që prej tri dekadash akademik Gudar Beqiraj është i përfshirë në ekspertizë dhe oponencë shkencore ndërkombëtare nga institucione jashtë vendit. Vlerësues i jashtëm në programe doktorate në Francë, specialist i ftuar për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e programit “Copernicus” të Komisionit Europian, drejtues në projektet e Komisionit Europian “Seeren”, “Seeren2”, “Isotea”, “Seefire”, “See-grid”, “See-grid2”, “See-grid-sci”, “Ict-web-proms”.

 

Gudar Beqiraj ka veprimtari universitare të pandërprerë që prej më shumë se katër dekadash, si pedagog i matematikës dhe i informatikës. Ai është autor i shumë artikujve dhe botimeve në shqip e në gjuhë të huaj në fushat ku ushtron veprimtarinë kërkimore-shkencore. Në karrierën e akademikut Gudar Beqiraj numërohen detyra të rëndësishme, që prej atyre të drejtimit shkencor (si dekan) deri tek drejtimi institucional (si drejtor i Institutit të Matematikës Llogaritëse INIMA). Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit.  

 

Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike. Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar.

 

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.


 

 

Mesazhi i Presidentit

 

Me trishtim të thellë mësova lajmin e pabesueshëm të ndarjes nga jeta të Akademikut, Profesorit dhe mikut tim Gudar Beqiraj.

Një lajm që trishton të gjithë botën akademike, kolegët e tij të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të shkencave të natyrës, të informatikës dhe të të gjithë universiteteve, me të cilët punoi dhe bashkëpunoi për një kohë të gjatë me shumë profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë.

Lajmi i sotëm trishton edhe botën e sportit, veçanërisht atë të peshëngritjes, me të cilin ishte i lidhur që në rininë e tij të hershme dhe për të cilin vazhdoi deri në frymën e fundit të kontribuojë pa u lodhur.

Ai kontribuoi për modernizimin e këtij sporti dhe arritjet e jashtëzakonshme nëpërmjet metodave të reja dhe frymës inkurajuese për të rinjtë duke u bërë një shembull dhe model në promovimin e miqësisë dhe solidaritetit olimpik, edhe në nivel ndërkombëtar.

Edhe unë humba sot një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tre dekada kam bashkëpunuar duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të të mirës së përgjithshme.

Ngushëllimet e mija të thella dhe të sinqerta familjes, bashkëshortes Afërditës, vajzës dhe të gjithë të dashurve, të afërmve dhe miqve të tij.

 


 

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS

Kryesia, Prishtinë, 11 maj 2020

 

Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Të nderuar miq dhe kolegë,

 

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e papritur të akademik Gudar Beqirajt, ish-kryetarit dhe nënkryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pedagogut shumëvjeçar të Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Tiranës dhe drejtuesit të institucioneve arsimore dhe shkencore të Republikës së Shqipërisë, autorit të një sërë tekstesh dhe kontributesh shkencore të rëndësishme nga fusha e informatikës dhe gjeostatistikës.

Kolegët dhe miqtë e akademik Beqirajt nga Prishtina e mbajnë mend periudhën e frytshme të bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përgjatë viteve sa ishte ai në krye të Akademisë së Shqipërisë, si kryetar dhe nënkryetar i saj.

Me këtë rast, na lejoni që të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta drejtuar kolegëve të akademik Beqirajt dhe institucionit ku ai dha kontribut të çmuar, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Përfitojmë nga rasti që, përmes jush, ngushëllimet tona të sinqerta t’ia drejtojmë edhe familjes së akademik Beqirajt.

 

Për Kryesinë e ASHAK

Akademik Mehmet Kraja, kryetar


 

 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Akademikut Gudar Beqiraj

 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Akademikut Gudar Beqiraj. “Akademiku Gudar Beqiraj ishte një personalitet i shquar i shkencës, kulturës dhe sportit shqiptar. Ai ka kontribuar për një kohë të gjatë jo vetëm si shkencëtar, por edhe si Kryetar dhe Zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka një meritë të padiskutueshme në hartimin e politikave të zhvillimit të shkencës shqiptare, të reformimit të Akademisë së Shkencave, të promovimit të kërkimit shkencor, si dhe institucioneve akademike e universitare të Shqipërisë. Familja humbi njeriun e saj më të dashur, kultura shkenca dhe sporti shqiptar humbën një përfaqësues të shquar dhe Shqipëria një qytetar të denjë e të respektuar.”