Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, akademik Nikolai Denkov, pret në një takim Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushin

Kryeministri akad. Denkov përshëndet marrëveshjen

Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, akademik Nikolai Denkov, pret në një takim Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushin

Nga datat 16 deri 20 tetor 2023 vjen në Tiranë edicioni i parë i Konferencës Ndërkombëtare NanoBalkan 2023

NanoBalkan 2023 Conference

Nga datat 16 deri 20 tetor 2023 vjen në Tiranë edicioni i parë i Konferencës Ndërkombëtare NanoBalkan 2023

Partnering for excellence - partnering for Europe

Tirana, 19-20 Shtator 2023

Partnering for excellence - partnering for Europe

Akad. Skënder Gjinushi: Nuk ka shkrirje,as shuarje të ASA-s, por bashkim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Konferenca për shtyp

Akad. Skënder Gjinushi: Nuk ka shkrirje,as shuarje të ASA-s, por bashkim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Nënshkruhet Memorandumit i Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Austriake të Shkencave

Marrëveshja e bashkëpunimit

Nënshkruhet Memorandumit i Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Austriake të Shkencave

Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave, në mbledhjen vjetore të Asamblesë

 

Faza e dytë e reformës, kalimi prej njësive të përkohshme në qendra kërkimore të përhershme

 

Hartimi i strategjisë kombëtare për arsimin dhe i ligjit të ri për kërkimin shkencor mundësojnë vënien e Akademisë së Shkencave në krye të sistemit

 

Prioriteti i prioriteteve – projektet madhore në albanologji

 

Me qendrën e nanoshkencës dhe qendrën e bioteknologjisë - drejt fuqizimit të polit të shkencave natyrore dhe teknike

***

 

 

I. Raport përmbledhës i punës për vitin 2022

 

Ecuria e reformës, fazës së dytë. Viti 2022, si viti i tretë i reformimit të Akademisë së Shkencave, përbën një vit tepër të rëndësishëm në përcaktimin e suksesit të reformës e të ecurisë së mëtejshme të saj. Gjatë këtij viti, i pari pa kufizime të detyruara prej pandemisë, Akademia u kthye në qendrën kryesore të organizimit të ngjarjeve më të mëdha të karakterit shkencor, kombëtare e ndërkombëtare, në të gjitha fushat kryesore të shkencës; ajo rimori dhe luajti një rol aktiv parësor për kërkim-studimet në shkencë, veçanërisht në albanologji dhe fushat më sfidante për të ardhmen, krahas trajtimit të problemeve madhore të kohës, duke forcuar bindjen dhe vizionin e plotë për nevojën e mënyrën e reformimit të vetë sistemit të kërkimit shkencor tek ne, si dhe për vendin e rolin që duhet të luajnë Akademia e Shkencave dhe strukturat e ngritura pranë saj në këtë sistem.

 

Kjo Asamble, me rastin e miratimit të programit për vitin 2022, e shpallte atë si viti i kalimit në fazën e dytë të reformës, duke kuptuar me të ngritjen pranë Akademisë të njësive afatgjata të kërkimit, krahas atyre të përkohshme, në fushat më të domosdoshme, nëpërmjet një procesi gradual, por jo zvarritës, me synim kthimin e ASHSH e të strukturave pranë saj në qendrën më me peshë të kërkimit shkencor në vend, në bashkëpunim të plotë me institucionet e arsimit të lartë, veçanërisht me ato publike; në qendrën ku krijohen, organizohen e realizohen projektet më madhore e më me ndikim në zhvillimin e shkencës në Shqipëri.

 

Këtë detyrë madhore të shtruar nga kjo Asamble mund të themi se strukturat tona, në bashkëpunim me institucionet e vendit, e kanë kryer në përmbajtje, por ajo nuk është formalizuar ende sipas vendimeve e propozimeve të kësaj Asambleje.

 

Gjatë vitit 2022, krahas fuqizimit të njësive ekzistuese e përfshirjes së tyre në projekte konkrete, u ngritën e filluan veprimtarinë e tyre disa njësi të reja. QBAE-së, njësisë NanoAlb dhe qendrës së bio-gjenetikës etj., iu shtuan njësia e energjive të rinovueshme dhe ajo e gjeoshkencës, si dhe instituti virtual i matematikës, sipas modelit të atij në fizikë.

 

Veprimtaria e njësive dhe projektet kryesore. Veprimtaria e këtyre njësive përbën dhe angazhimin e kontributin tonë kryesor gjatë vitit 2022. Nëpërmjet tyre u vazhdua e filloi puna për realizimin e 17 projekteve dhe të dy studimeve; prej të cilave 5 projekte janë në albanologji e rreth 12 në shkencat tekniko-natyrore, të shtrira në të gjitha fushat kryesore; histori, arkeologji, gjuhësi, biogjenetikë e nanoshkencë; art, fizikë, matematikë, energjetikë. Në to janë të aktivizuar mbi 26 akademikë, rreth 30 historianë, punonjës kërkimorë e pedagogë, 27 gjuhëtarë, pa përfshirë këtu bashkëpunëtorët; me dhjetëra kimistë, biologë, fizikanë, matematicienë, informaticienë e inxhinierë.

 

Tre projektet e mëdha të albanologjisë kane ecur sipas pritshmërive. Në Historinë e shqiptarëve janë dorëzuar si lëndë e parapërgatitur rreth 1500 faqe; për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe u përmbyll puna përgatitore e kryer nga 12 grupe e 36 bashkëpunëtorë, është krijuar baza e të dhënave e korpusi fjalësor me mbi 200.000 njësi dhe është kaluar tek hartimi i fjalëve. Ndërkohë u arrit të përgatitet e miratohet tërë kuadri nënligjor për organizmin e punës dhe mbështetjen financiare të projektit për Enciklopedinë shqiptare e për strukturat redaksionale në realizimin e tij. Është për t‘u përshëndetur fakti që këto akte u miratuan nga të dyja qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, çka garanton vazhdimësinë e mbështetjes së këtij projekti dhe tregon rritjen e interesit të qeverive për kërkimin shkencor e të besimit të tyre tek Akademitë e Shkencave.

 

Me të njëjtat ritme e cilësi kanë punuar edhe dy njësitë pararendëse, tashmë të konsoliduara. Në saje të mundësive specifike, siç janë ofrimi i një mjedisi pranë QSUT-së dhe i disa pajisjeve modeste laboratorike, njësia e bio-gjenetikës po kthehet në një qendër reale të kërkimit në fushën e bioshkencës, duke u orientuar në tri drejtime parësore të përcaktuara prej saj. Për këtë, kjo qendër është mbështetur në fund të vitit me pajisje laboratorike me vlerë rreth 8 milionë lekë. Qendra ka nisur realizimin e projekteve të programuara, krahas kryerjes së studimit seroepidemiologjik të gjendjes imunitare në popullsinë shqiptare ndaj Covid-19 - fazës së katërt - dhe rezultatet e saj përputhen me ato të deklaruara më pas nga OBSH-ja në nivel botëror. Është për t’u përgëzuar kjo punë e njësisë, e cila u bë për tre vjet burimi i të dhënave kryesore shkencore mbi nivelin e imunitetit dhe shkallën e përhapjes reale të Covid-19 në popullsinë shqiptare gjatë gjithë pandemisë.

 

Për herë të parë, vitin që shkoi, njësitë tona, vetë apo nëpërmjet anëtarëve e bashkëpunëtorëve të tyre, aplikuan për projekte në fushat përkatëse pranë AKKSHI-it, nga ku rezultuan fitues 4 projekte, si dhe u fitua një i pestë në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe. Nga këto, tre projekte drejtohen nga anëtarë të Asamblesë sonë. Një përvojë e re gjatë vitit 2022 ishte projekti i ndërmarrë nga njësia e Akreo-Bylis për të testuar një metodë të re gjeodezike në hulumtimin e siteve arkeologjike nëpërmjet teknologjive të reja. Rezultatet e arritura janë nxitëse, veçanërisht krahasuar me financimet modeste.

 

Dy institutet virtuale, në matematikë e fizikë, si modele të veçanta njësish, po tregojnë efektivitetin e tyre. Pozitiv është reagimi e mirëpritja e ngritjes së tyre prej kolegëve tanë më të suksesshëm të këtyre fushave jashtë vendit dhe gatishmëria e tyre për të kontribuuar e ndihmuar në veprimtarinë e instituteve. Është për t’u theksuar fakti se shumica e tyre janë formuar e diplomuar si matematikanë e fizikanë në shkollat tona, çka duhet të vihet në pah vazhdimisht, për të rikthyer besimin e të rinjve ndaj shkollës e pedagogëve tanë; për të përcjellë mesazhin se edhe të rinjtë e talentuar mund të shprehin e zhvillojnë aftësitë e talentin e tyre edhe këtu, në Shqipëri.

 

Me mjaft interes e përgjegjësi është ndërmarrja prej dy instituteve e studimit të programeve e të teksteve të matematikësdhe fizikës në ciklin parauniversitar, që ka një ndikim të pazëvendësueshëm në transmetimin e këtyre shkencave te brezat e rinj, sidomos në nivelin e formimit të tyre për të përballuar me sukses arsimin e lartë. Niveli pedagogjiko-shkencor i këtij cikli është përcaktues në të ardhmen e këtyre shkencave te ne.

 

Aktivitetet kryesore gjatë vitit 2022. Këto veprimtari të njësive të kërkim-studimit, së bashku me ato të komisioneve, mundësuan që gjatë vitit 2022 të programohen e realizohen mbi 100 aktivitete të organizuara nga seksionet e Kryesia, duke e kthyer Akademinë në qendrën e organizimit të kongreseve, konferencave, simpoziumeve, workshopeve e shkollave verore më të rëndësishme e më me ndikim, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet kryesore të arsimit të lartë e të shkencës.

 

Aktivitetet më me peshë e që kërkonin një organizim e përgjegjësi të veçantë ishin padyshim kremtimi i 50-vjetorit të ASHSH dhe konferencat jubilare për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.

 

Kremtimi i 50-vjetorit të Akademisë nuk kishte thjesht një vlerë festive e gëzimi. Ai shërbeu si një rast për të formuluar të vërtetat mbi vlerat e arritjet e Akademisë në këto 50 vjet - edhe prej partnereve tanë kryesorë, homologëve e kolegëve të institucioneve të tjera; ishte një rast që. krahas vlerësimit të kontributit të akademikëve e instituteve pranë saj për 35 vjet, që kulmojnë me veprat në albanologji e në shkencat teknike, dhe të figurave ikonë të Asamblesë ndër vite, si E. Çabej, A. Buda, P. Radovicka etj., të vlerësohej me objektivitet reforma e ndërmarrë prej nesh e rezultatet e saj. Kjo ngjarje riktheu besimin tek Akademia e akademikët, gjë që është e domosdoshme, jo thjesht në respekt të së vërtetës a për të përkëdhelur sedrën tonë, por për ta vendosur Akademinë në vendin që i takon, në mënyrë që ajo të mund të kryejë misionin e saj si institucioni më i lartë i shkencës në vend.

 

Konferencat me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit gjithashtu patën një rol të dyfishtë. Krahas rikonfirmimit të rëndësisë e vlerave që pati e ka vendosja e gjuhës standarde si gjuha zyrtare, si gjuhë e komunikimit ndërshqiptar, e administratës dhe e shkollave publike, më 1972-shin; u evidentua fakti se ajo është produkt i një pune shkencore ndër vite e jo një gjuhë e parapërgatitur e imponuar politikisht; se në përcaktimin e rregullave e normave të saj kanë dhënë kontributin gjuhëtarët më të mirë të kohës, në Shqipëri e Kosovë; se zbatimi i saj ndër vite ka vërtetuar se në tërësi e në thelb është bërë një nga zgjedhjet më të mira dhe, çka është më e rëndësishme, u margjinalizua grupi i zërave kundër: jo i kritikëve, por i atyre që kërkojnë ribërje të saj, me argumentin se kjo qe nje zgjedhje ideologjike e joshkencore. Kthimi tek arsyetimi se, meqë Kongresi i Drejtshkrimit u mbajt në kohën që diktonte partia-shtet patjetër edhe gjuha standarde është bartëse e komunizmit, është i njëjti argument që u përdor më 2007 e desh u ripërdor edhe më 2018- n për shpërbërjen e Akademisë, meqenëse ishte themeluar në kohën e komunizmit. Siç edhe pritej, si bartës e propagandues të linjës kundër standardit dhe të antiakademizmit u evidentuan vetëm disa individë, ndër më mediokrit në specialitetin e tyre.

 

Me këtë rast, Akademia jonë dhe institucionet kryesore në Shqipëri, Kosovë e Arbëri përcaktuan dhe një herë qartë e publikisht qendrimin ndaj gjuhës standarde; angazhimin për respektimin e saj nga institucionet publike; për mbrojtjen e saj nga keqpërdorimi e nga deformimet prej ndikimeve të gjuhëve të huaja; për detyrimin e Akademisë e të qarqeve akademike për të ndjekur evoluimin e pasurimin e saj, duke zgjidhur probleme të caktuara, të pazgjidhura a të reja, duke reflektuar rregulla e norma, sipas nevojës e prirjeve, por gjithnjë bazuar në kriteret shkencore e ligjësitë e brendshme të vetë gjuhës.

 

Gjatë vitit 2022 u organizuan dhe dy evente në nivel kongresi me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare: kongresi i studiuesve të baladave dhe ai i nanoteknologjisë (Balkan-TNT). Gjirokastra e Tirana u kthyen për disa dite me radhë në qendrat kryesore të takimit të specialistëve e shkencëtarëve më të suksesshëm në fushat përkatëse. Organizimi i tyre me sukses si në pjesëmarrje ashtu dhe në nivel infrastrukturor vlen të përshëndetet. Pjesëmarrja në to i një numri të konsiderueshëm prej specialistëve tanë përbën anën më pozitive të këtyre dy ngjarjeve shkencore.

 

Kongresi i baladave vlerësojmë se pati një ndikim të madh në promovimin e kulturës sonë, ndërsa organimimi i konferencës ndërkombëtare të nanoteknologjisë për të dytin vit radhazi dëshmoi se njësia NanoAlb ka marrë tashmë dimensionet dhe peshën e një instituti, pa seli qendrore, dhe se ideja e kalimit të saj në një institut me rrezatim e bashkëpunim rajonal është realiste dhe e realizueshme, e ka tashmë mbështetjen e tërë faktorëve shkencorë e politikëbërës, edhe jashtë vendit.

 

Botimet e periodikët e ASHSH në vitin 2022

 

Gjatë vitit 2022 Akademia vazhdoi, sipas programit të miratuar nga kjo Asamble, botimin e një sërë titujsh studimesh me autorë akademikë, profesorë a punonjës shkencorë, rreth 30 tituj. Politika jonë këtu është mbështetja e veprimtarisë dhe iniciativave vetjake të kërkuesve e studiuesve të niveleve më të larta, duke përfshirë anëtarët e kësaj Asambleje, si një mënyrë për të plotësuar e stimuluar nevojën për studime e botime të ndryshme në trajtimin e çështjeve të caktuara, veçanërisht në albanologji, apo në pasqyrimin e kontributit të figurave më të spikatura të shkencës, kulturës e artit dhe si një burim për bibliotekat publike e shkollat për literaturë shkencore. Volumi i botimeve të këtij lloji u është nënshtruar kritereve të reja, të përcaktuara në rregullore, dhe e ka pësuar një ulje relative, me logjikën për t’i dhënë më shumë peshë vetë punës aktive të ASHSH, nëpërmjet projekteve e studimeve të ndërmarra dhe duke u dhënë më shumë vend botimeve të produktit të fituar prej projekteve të vetë ASHSH, siç janë e do të jenë veprat madhore në albanologji.

 

Theksojmë këtu që gjithë financimi për strukturat e reja, njësitë e komisionet dhe projektet e tyre, përveç atyre në albanologji, është siguruar brenda buxhetit bazë ndër vite, nëpërmjet riformatimit të tij.

 

Pozitiv është dhe stabilizimi i botimit të dy revistave shkencore të Akademisë, Studia Albanica dhe AJNTS. Përveçse u garantua botimi i rregullt i tyre në pikëpamje të periodicitetit, ka një rritje të cilësisë së tyre edhe në përmbajtjen shkencore, shprehur kjo në vlerësimet e agjencive të specializuara jashtë. Studia Albanica është në linjë tërësisht që nga viti 1995 e këndej, kurse AJNTS që nga themelimi. Është digjitalizuar gjithë koleksioni i mëparshëm i Studia Albanica-s (1964-1995) dhe do të hidhet shumë shpejt në rrjet. Paraqitja ndaras e artikujve që botohen në dy revistat tona ka mundësuar pajisjen e tyre me certifikim si objekte të identifikuar në formë digjitale (Doi). Një nga agjencitë më të mëdha të përzgjedhjes dhe rekomandimit të literaturës shkencore universitare në Bashkimin Europian, agjencia ANVUR, e renditi sivjet revistën Studia Albanica në Listën A, lista primare.

 

Bashkëpunimi me ASHAK-un, IAL-të, ASA-n dhe institucionet jashtë

 

Bashkëpunimi me shkollat e larta, akademitë simotra dhe qendrat e institutet kërkimore, brenda e jashtë vendit dhe posaçërisht në Kosovë, ka njohur një zgjerim e institucionalizim të mëtejshëm. Veprimtaritë kryesore të ASHSH janë zhvilluar në bashkëpunm me ASHAK-un e me institucionet e arsimit të lartë. Punonjësit akademikë të universiteteve përbëjnë numrin më të madh të anëtarëve të komisioneve tona të përhershme; të anëtarëve, koordinatorëve dhe bashkëpunëtorëve të njësive dhe të pjesëtarëve në projekte.

 

Po aq i ngushtë është bashkëpunimi me ASA-n përsa u takon tre projekteve në albanologji. Siç dihet hartuesit e platformave paraprake për to, grupet e hartuesve të Fjalorit të madh të shqipes e të Historisë së shqiptarëve; anëtarët e redaksive qendrore e vendore për Enciklopedinë, shumica a një pjesë e mirë e tyre janë pjesë e trupës akademike të ASA-s.

 

Gjatë vitit që sapo mbyllëm vazhdoi rifreskimi i strukturave tona, me hapjen e procedurës për kandidimin e zgjedhjen e anëtarëve të rinj në katër fusha të reja të shpallura nga Asambleja dhe me pranimin e disa anëtarëve në njësi e komisione; ka vazhduar procesi i rilidhjes së marrëveshjeve me akademitë homologe a shkolla të larta, si dhe pjesëmarrja me rol aktiv në organizimet e ndryshme ndërakademike. Tërë strukturat janë përpjekur të kryejnë funksionet e tyre të parashikuara në Statut: Asambleja, seksionet, komisionet dhe Kryesia.

 

II. Detyrat kryesore të programit për vitin 2023

 

Të nderuar kolegë,

Ne kemi hyrë tashmë në vitin e ri 2023. Para jush është paraqitur përmbledhtas programi i punës për veprimtaritë kryesore për këtë vit. Do të theksoja në vijim, sa me shkurt, objektivat e detyrat kryesore që shtrohen para nesh: Asamblesë, Kryesisë, seksioneve, komisioneve të përhershme e njësive, sipas këtij programi.

 

Realizimi i fazës së dytë të reformës

 

Synimi ynë kryesor për këtë vit është miratimi e formalizimi i propozimeve tona në kuadër të kryerjes së fazës së dytë të reformës. Shqipëria është tani vend kandidat i Bashkimit Europian dhe si i tillë ajo duhet të punojë për përafrimin e arritjen e standardeve europiane edhe në fushën e shkencës e të arsimit, të cilat nuk mund të zhvillohen pa njëra-tjetrën. Prapambetja në kërkimin shkencor është më e thellë se në arsim, në raport me vendet e zhvilluara, kështu që kërkohet që në strategjinë e zhvillimit shkencor për periudhën 2023-2030 e në ligjin e ri për kërkimin shkencor të përfshihen e mundësohen masa konkrete për rritjen graduale të investimeve e të financimit për kërkim, e shoqëruar kjo edhe me rritjen e kapaciteteve logjistike e intelektuale, duke ngritur një rrjet real të kërkimit, të përbërë nga njësi e qendra të reja në nivel institutesh a grupim institutesh, krahas ristrukturimit e fuqizimit të atyre ekzistuese.

 

Kthimi i Akademisë së Shkencave në institucionin më të lartë të kërkimit e koordinimit të vetë sistemit, nëpërmjet vendosjes pranë saj të qendrave e njësive kryesore me impakt kombëtar, do të vendoste balancat e duhura midis arsimit e shkencës e do të ndikonte në arritjen e standardeve, më së pari të rajonit, për të synuar më tej ato europiane.

 

Vazhdimi e përmbyllja e tre projekteve madhore në albanologji

 

Angazhimi ynë parësor për vitin 2023 është realizimi i punëve të programuara për tre projektet madhore të albanologjisë. Vlerësohet që brenda këtij viti të jetë kryer puna kryesore për hartimin e Historisë së shqiptarëve e të nisë dërgimi për botim i vëllimit të parë, për të vazhduar me volumet e tjera në 6-mujorin e parë të 2024-ës. Edhe për Fjalorin e madh është parashikuar të kryhet mbi 85 për qind e punës, për t’u bërë gati për recensim e botim në fillimet e 2024-ës. Për Enciklopedinë, ky vit do t’i kushtohet punës përgatitore, me ngritjen e mbi 30 redaksive të fushave; përpilimin e kritereve për hartimin e artikujve që do të përfshihen në të; ndarjen e punës midis redaksive vendore; miratimin e listave të autorëve të artikujve e fillimin e hartimit të vetë listave për artikujt që do të përfshihen në vepër.

 

Projektet e studimet e njësive të tjera

 

Veprimtaria e njësive dhe realizimi prej tyre i rreth 12 projekteve dhe i 3 studimeve të nisura a të parashikuara për së pari në program përbën një anë të rëndësishme të punës së tyre e të vetë Akademisë. Veçanërisht për t’u theksuar është se njësia e bio-gjenetikës do të krijojë për herë të parë këtë vit bankën e ADN-së humane dhe atë të kriobankës, për materialin gjenetik të druve frutorë autoktonë, duke konsoliduar statusin e saj të ri; ndërsa për qendrën e nanoteknologjisë do të përpilohet një program i veçantë për ngritjen e saj në një qendër të përhershme të vendosur në mjediset e UBT, duke filluar nga viti 2024. Një studim i ngjashëm i ngarkohet nga programi njësisë për shkencat e tokës, për riorganizimin e ristrukturimin e instituteve të kësaj fushe.

 

Aktivitetet kryesore e botimet për vitin 2023

 

Për këtë vit janë programuar rreth 90-100 aktivitete shkencore të niveleve të ndryshme: konferenca etj. në nivel Akademie, seksioni, njësie a komisioni, të shtrira në të gjitha disiplinat e fushat kryesore të shkencës e dijes, si dhe botimi i mbi 30 titujve bazuar mbi kërkesat e derimëtanishme. Ndër veprimtaritë do të veçonim samitin vjetor për shkencën dhe arsimin, që do të organizohet në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, me kujdesin europian të Akademisë Leopoldina të Gjermanisë, me bashkëpunimin vendor të Akademisë sonë të Shkencave, si dhe me pjesëmarrjen e delegacioneve nga të gjitha institucionet akademike të këtij rajoni.

 

Për këtë vit në marrëdhëniet me jashtë do të synohet konkretizimi i bashkëpunimit, prandaj parashikohet të nxiten shkëmbime vizitash të specialistëve - akademikë e drejtues - apo anëtarë komisionesh e njësish dhe jo delegacionesh, për të përcaktuar drejtimet e bashkëpunimit e marrjen e përvojes; gjithashtu do të përcaktohet një fond për çdo komision për të pasur mundësi vetëveprimi për organizimin e veprimtarisë së tyre.

 

Ky është viti i parë që shpenzimet e financimet për kërkim e studime shkencore, pra, për veprimtari të mirëfillta shkencore, do të jenë dukshëm më të mëdha se ato për veprimtari të tjera, si botimet, veprimtaritë jubilare e promovuese, konferencat; marrëdhëniet me jashtë e ato administrative. Konkretisht, buxheti gjithsej për këtë vit është 189 milionë lekë, nga të cilët 65 milionë janë të paracaktuara për pagat e pagesat për tituj e 10 milionë për shpenzimet operative apo administrative. Shuma prej 114 milionë që mbetet për t’u administuar nga Akademia është programuar: 55 milionë lekë për tre projektet në albanologji dhe 26-27 milionë lekë për punën kërkimore e studimore të njësive të tjera, pra, mbi 80 milionë lekë janë për veprimtari të mirëfilltë shkencore. Ndërsa diferenca shkon: 12 milionë për botimet (duke përfshirë periodikët), 5 milionë për çmimet e akorduar nga ASHSH dhe për marrëdhëniet me jashtë e rreth 10 milionë për aktivitetet e të gjitha niveleve, nga Asambleja tek komisionet.

 

Faleminderit për vëmendjen, suksese të përbashkëta gjatë këtij viti.