REZOLUTË E SIMPOZIUMIT SHKENCOR “VRESHTARIA DHE VERËTARIA NË HAPËSIRËN MBARËSHQIPTARE” Tiranë, 2 – 4 dhjetor 2021
- Details
- Hits: 1831
Në Shqipëri dhe në Kosovë, vreshtaria dhe verëtaria përbëjnë vlerë të shtuar për ekonominë kombëtare. Përparimi ekonomik dhe i turizmit, kanë mundësuar zhvillime të mëtejshme në këtë sektor, por ende nuk janë përdorur sa duhet pozicioni gjeografik i privilegjuar dhe investimet e kryera për vreshtarinë dhe verëtarinë. Problem madhor është konsolidimi i prodhimit cilësor në rrush e verëra dhe standardizimi i mirëfilltë i tij, përcaktimi e zbatimi i strategjisë dhe politikës për zhvillimin e vreshtarisë-verëtarisë në nivel më të plotë të interesave kombëtare, duke shtuar prodhimin vendës që duhet të mbizotërojë në tregun shqiptar.
Të mbledhur në këtë Simpozium Shkencor që u organizua me mbështetjen e dy Akademive të Shkencave në Shqipëri dhe në Kosovë, me qëllim nxitjen e prodhimit cilësor vreshtar e verëtar, mundësimin e integrimit të dy vendeve tona edhe në zhvillimet rajonore e botërore të vreshtarisë e të verëtarisë. si edhe për të mbështetur ecurinë dhe prirjen shumë në rritje të kërkesës së tregut për këto prodhime, paraqesim këto përfundime dhe rekomandime, në përputhje me 35 kumtesat dhe diskutimet që u parashtruan në Simpozium:
- Hartimi i një programi shkencor mbarëkombëtar lidhur me orientimin strategjik të politikave për ruajtjen e burimeve gjenetike të hardhisë, për kultivarët-ekotipet-popullatat autoktone. veçanërisht ato në rrezik zhdukje në Shqipëri e në Kosovë. Ky Program të përfshijë përmirësimin gjenetik të kultivarëve dhe prodhimin e kloneve të fidanëve, fillimisht për Sheshin e Bardhë, Sheshin e Zi, Kallmetin dhe Vrançin, që përbëjnë prodhimin më të madh të rrushit dhe të verërave shqiptare. Kjo veprimtari do të mundësojë identitetin-cilësinë-standardizimin e prodhimit vendës, krijimin dhe stabilizimin e stileve të verërave tona. Përparësi i duhet dhënë prodhimit të verërave që përftohen nga përpunimi i rrushit të kultivarëve autoktonë, duke u mbështetur me rregulla administrimi e kontrolli dhe me investime shtetërore, duke u bërë më të njohura edhe nga ana e mediave.
- Përmirësimi i legjislacionit për vreshtarinë dhe verëtarinë, si pjesë edhe e procesit të përafrimit me rregulloret përkatëse të BE. Përfshirja e komunitetit shkencor dhe e agrobiznesit, përfshirë sidomos veraritë, në diskutimin mbi projektligjin e përgatitur në Shqipëri “Për vreshtarinë dhe verëtarinë”, ku detajohen gjithashtu kriteret për: përcaktimin e Emërtimin e Prejardhjes së Mbrojtur dhe Kontrolluar të verërave, llojet e verërave për përdorim dhe karakteristikat përkatëse, politikat mbrojtëse për prodhimin vendës dhe mbështetjen me subvencionime shtetërore për fermat vreshtare dhe veraritë. Mënjanimi i trysnisë fiskale të tepruar që ushtrohet ndaj verarive. Vera është ushqim për njerëzit, prandaj aksizat për verërat është e nevojsme që të hiqen.
- Ringritja i një kadastre më funksionale për vreshtat në Shqipëri edhe sipas përvojës së Sistemit kadastror të vreshtarisë në Kosovë, që vepron me Regjistër elektronik, duke përcaktuar vendndodhjen gjeografike të vreshtave, ku krahas blloqeve dhe ngastrave prodhuese, të përfshihen edhe: ngastrat “mëmë”, koleksionet kombëtare e rajonore dhe veçanërisht ato të ruajtjes së gjermoplazmës autoktone. Të evidentohen dhe përditësohen ndryshimet vjetore në të gjithë treguesit e përcaktuar ligjërisht. Ky kadastrim i mirëfilltë, shoqëruar me politikë fiskale vërtet zbatuese duke regjistruar të gjitha subjektet prodhuese vreshtare e verëtare, do të mënjanojë prodhimin informal dhe konkurrencën e paligjshme, do të shtojë të ardhurat kombëtare.
- Organizimi i Sistemit për menaxhimin e cilësisë së rrushit, verërave dhe pijeve të forta alkoolike, duke përfshirë digjitalizimin e proceseve agroenologjike dhe të procedurave përkatëse: shkalla e përdorimit të kimikateve në vresht dhe verari, zbatimi i afateve të vjeljes së rrushit, pranimi i verës deri në certifikimin e saj për tregtim, skemat e vlerësimit organoleptik, deklarimet vjetore të prodhimit të verës dhe të rezervave të saj. Në këtë sistem menaxhimi të përfshihen normativa kyçe për cilësinë: përdorim i plehrave kimike dhe i pesticideve në sasi të kufizuara dhe të kontrolluara, afate vjelje të përcaktuara nga të dy palët kontraktuese (pronar vreshti dhe pronar verarie), prodhimi vetëm 8-10 tonë/ha rrush cilësor për verë - po ashtu cilësore, mos përdorim në verari i kimikateve që janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve.
- Kryerja e një studimi të mirëfilltë të territorit, për përmirësimin e rajonizimit të kultivarëve të hardhisë, drejt specializimit të zonave vreshtare për kultivarin a kultivarët më të përshtatshëm. Përqendrimi i strukturës varietore në kultivarët më të mirë, më të kërkuar nga tregu, si dhe në kultivarët autoktonë që janë të përzgjedhur dhe të përmirësuar.
- Krijimi i vreshtave të reja të konsiderohet i barasvlershëm me ndërtimet, pra të kenë miratim nga organet e pushtetit vendor, me projekt të plotë ku të përfshihen: toka, klima, rajonizimi, struktura e kultivarëve, skema agroteknike e selitjes së bllokut me vreshta etj., duke bërë rregullimet e nevojshme me akte bashkëkohore ligjore apo nënligjore.
- Rishikimi i planit afatgjatë për zhvillimin e vreshtarisë dhe të verëtarisë, për kalimin në prodhimin e verërave EPK – Emërtim me Prejardhje të Mbrojtur e Kontrolluar.
- Mbështetje institucioneve kërkimore shkencore që paraqesin projekte për grumbullimin dhe ruajtjen e gjermoplazmës autoktone dhe të burimeve parësore, për krijimin e koleksioneve gjenetike in vitro veçanërisht në kushte erozioni të theksuar gjenetik. Kjo praktikë përbën themel për markat bashkëkohore të verërave, me tipicitet të shquar dhe me identitet historik e gjeografik me rëndësi të veçantë, sidomos në kushtet e zhvillimit të agroturizmit dhe turizmit në tërësi.
- Krijimi i një grupi pune të përbashkët Shqipëri-Kosovë, që të merret me: përditësimet e legjislacionit lidhur me problematikën e vreshtarisë dhe të verëtarisë, me hartimin e Rregullores për prodhimin dhe tregtimin e verërave dhe të pijeve tejet alkoolore, me hartimin e strategjisë lidhur me zhvillimin e vreshtarisë-verëtarisë gjithëkombëtare përgjatë periudhës 2023-2033, me njësimin e Sistemit për kontrollin e cilësisë të rrushit – verës – prodhimeve të tjera nga rrushi e vera, me hartimin e “Atlasit të kultivarëve shqiptarë të hardhisë”.
- Harmonizimi i Ligjit të certifikimit të fidanëve në Shqipëri dhe Kosovë, me direktivat e BE-së (Direktiva Implementuese e Komisionit të BE 2020/177), si mundësi e madhe tregu për fidanishtet vendase. Hartimi i një programi shkencor certifikimi për kontrollin fitosanitar e gjenetik të materialit të shumimit, duke përdorur metoda bioteknologjike të shëndetësimit dhe të biologjisë molekulare. Prodhimi të kryhet vetëm në fidanishte të certifikuara, për të bërë më efektiv kontrollin shtetëror sipas nevojave të vendit.
- Përmirësimi i infrastrukturave laboratorike dhe kualifikimi i punonjësve të verarive, në mënyrë që të mundësohet prodhim verërash në nivel bashkëkohor, të drejtuar dhe kontrolluar nga ana e tyre.
- Veraritë duhet të veprojnë për stabilizimin dhe shumimin e stileve të verërave shqiptare, si edhe për konsolidimin e markës shqiptare, nëpërputhje me kërkesat e tregut të brendshëm dhe të eksportit. Të gjitha këto janë parakusht për prodhim më të madh dhe cilësor të këtyre verërave.
- Rritja e ndjeshme e pranisë së verërave shqiptare në sektorin e mikpritjes, që tanimë përbën treg shumë të rëndësishëm.
- Edukimi i mëtejshëm në sektorin e mikpritjes (restorante, hotele etj), si edhe i njerëzve në përgjithësi, lidhur me vlerat dhe përdorimin më të madh të verërave shqiptare.
- Fuqizimi dhe sidomos modernizimi i marketingut nga ana e verarive, përbën domosdoshmëri për shtimin e prodhimit vendës. Synim madhor duhet të jetë që në tregun shqiptar, brenda tre-katër viteve, verërat vendëse nga 30 për qind të arrijnë mbi 50 për qind të sasisë gjithsej, si edhe eksporti të barazohet me importin e verërave.
- Propozim qeverive të dy vendeve për ngritjen e Qendrave Kërkimore për Vreshtarinë dhe Verëtarinë në Shqipëri dhe Kosovë, si struktura të posaçme edhe për prodhimin, kontrollin dhe certifikimin e materialit të shumimit të hardhive dhe rregullimin institucionor të bashkëpunimit mes tyre.
Miratuar nga pjesëmarrësit në Simpozium: akademikë, kërkues shkencorë, agronomë, enologë, përfaqësues të bizneseve prodhuese vreshtare dhe verëtare nga Shqipëria dhe Kosova.