Asambleja e Akademisë së Shkencave

 

Asambleja

Asambleja është trupa e shkencëtarëve dhe e kërkuesve, e cila përbëhet nga akademikë dhe akademikë të asociuar, të cilët do të quhen anëtarë të Asamblesë. Numri i akademikëve është deri në 30, ndërsa numri i akademikëve të asociuar është deri në 10. 

Anëtarët zgjidhen nga Asambleja ndër mbajtësit e titullit “Profesor”, që kanë një kontribut të veçantë me një ndikim të gjithëpranuar në fushën përkatëse, në bazë të kandidaturave të përzgjedhura nëpërmjet procedurave e kritereve të përcaktuara në statutin e Akademisë. Në procedurat e kandidimit e të përzgjedhjes përfshihen edhe struktura apo përfaqësues të institucioneve të kërkimit shkencor, të arsimit të lartë e të kulturës. Në raste të veçanta, anëtarë zgjidhen personalitete me kontribut të spikatur nga fusha e krijimtarisë artistike, kulturës dhe jetës sociale në përgjithësi. Si rregull, akademikët zgjidhen nga radhët e akademikëve të asociuar. Në rast kandidimi të drejtpërdrejtë, kandidati duhet të marrë mbështetjen e jo më pak se 2/3-ve të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë.


Asambleja zgjedh edhe anëtarë të jashtëm ndër personat me shtetësi apo origjinë shqiptare me banim jashtë vendit, figura të shkencës e të kulturës, si dhe anëtarë nderi ndër figurat e shkencës e të kulturës që janë shtetas joshqiptarë me banim jashtë vendit, të cilët me punimet e tyre kanë ndikuar në ecurinë e mendimit e të zbatimit të shkencës në Shqipëri apo në promovimin e të vërtetave dhe të vlerave të origjinës, gjuhës e kulturës shqiptare.


Numri i anëtarëve të nderit është deri në 15, i anëtarëve të jashtëm deri në 10 dhe i anëtarëve korrespondente deri ne 15. Personat me origjinë shqiptare që janë anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të “All European Academies”, fitojnë drejtpërdrejt statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave, e cila formalizohet nga një mbledhje ceremoniale e Asamblesë. Këta të fundit nuk përfshihen në llogaritjen e kufirit maksimal të sipërcituar.


Anëtarët e Asamblesë që mbushin moshën 75 vjeç marrin statusin e anëtarit “Emeritus”. Ata nuk përfshihen në llogaritjen e kufizimeve të pikës 1 të këtij neni.


Personat e zgjedhur sipas këtij neni quhen “Anëtarë të Akademisë”.


Detyrat e Asamblesë

 Asambleja kryen këto detyra: 

1. Zgjedh anëtarët e Akademisë.

2. Zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin, sekretarin shkencor dhe drejtuesit e seksioneve.

3. Miraton projektbuxhetin vjetor, pas përgatitjes së tij nga Kryesia, dhe ia dërgon Kuvendit për miratim.

4. Miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Akademisë për vitin përmbyllës pas përgatitjes së tij nga Kryesia.

5. Miraton programin e punës për vitin pasardhës, si dhe programet afatgjata e strategjitë e zhvillimit.

6. Miraton statutin dhe ndryshimet e tij me 2/3 e votave.

7. Miraton marrëveshjet që nënshkruan Akademia me të tretët, sipas përcaktimeve në statut.

8. Përcakton llojet e çmimeve shkencore dhe kriteret e dhënies së tyre.

9. Miraton aderimin e Akademisë në organizata apo bashkime ndërkombëtare me natyrë shkencore.

10. Kryen edhe çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga statuti.